Ceferin i prerë: Të largohen, nuk e di pse këmbëngulin

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin ka theksuar se largimi i mundshëm i tre skuadrave rebele të Superligës Europiane, Real Madrid, Barcelona dhe Juventus nuk do të ishte aspak një problem për organin më të madh të futbollit Europian. Në një intervistë të dhënë për ‘Der Shpigel’ Ceferin shpjegoi se ai nuk mund të kuptojë vendimin e tyre për të formuar një aleancë të re Europiane.

“Nuk do ta kisha problem nëse ata largoheshin. Është shumë qesharake që ata duan të krijojnë një kompeticion të ri dhe në të njëjtën kohë duan të luajnë në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Këto tre klube thjesht kanë udhëheqës të paaftë. Florentino Perez, Joan Laporta dhe Andrea Agnelli janë përpjekur të vrasin futbollin”, u shpreh fillimisht Ceferin.

Zyrtari i lartë i futbollit europian pranoi se ka marrë edhe kërcënime për të pranuar vendimin e 12 klubeve elitare të kontinentit për të formuar Superligën Europiane. Ceferin gjithashtu propozoi disa reforma në rregulloret e Fair Play Financiar, ku shpenzimet nuk duhet të jenë asnjëherë më të mëdha se fitimet.

Klan News