Trajneri italian kishte nisur bisedimet, por kandidatura e tij shkaktoi pakënaqësi te disa futbollistë

Antonio Konte nuk shkoi te Real Madridi, pasi 10 futbollistë ishin kundër ardhjes së tij.

Ata ia bënë të qartë presidentit Florentino Perez se nëse italiani do të ulej në stol, atëherë do të bënin gati valixhet e do të iknin.

Pas largimit të Zinedin Zidan, ish-tekniku i Interit ishte ndër emrat kryesorë për ta pasuar.  Bisedimet midis presidentit të klubit dhe italianit po ecnin mirë. Me të marrë vesh për një emërim të mundshëm të Kontes, 10 lojtarët u organizuan, raporton britanikja “Times”.

Ata kontaktuan Perezin dhe i dhanë mesazhin se do të largoheshin nëse ai zgjidhte Konten.  Për këtë arsye, nr 1 i klubit spanjoll telefonoi Karlo Ançelotin.  Në vitin 2018 Konte u rreshtua si një ndër kandidatët për të marrë drejtimin e Spanjës.

Atëherë reagoi Serxhio Ramos i cili e shigjetoi teknikun, duke thënë se rispekti fitohet dhe nuk imponohet.  Ish-trajneri i Interit është në kërkim të një ekipi të ri, pas largimit nga zikaltrit.

Edhe negociatat me Totenhemin dështuan, për shkak të kërkesave financiare të larta të italianit, që klubi anglez nuk mund t’i plotësonte.

Klan News