Shënohet rënia më e lartë në dekadë

Ekonomia shqiptare u zhyt në një recesion të thellë me normë tkurrjeje 10.26% në tremujorin e dytë të vitit, kohë e cila përkon me periudhën e karantinimit të popullsisë dhe mbylljes së një pjese të madhe të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë së Covid-19.

Kjo është norma më e lartë e recesionit e regjistruar në dekadën e fundit.

Sipas Institutit të Statistikave Shqiptare, goditjen më të madhe e ka marrë sektori i tregtisë, transportit dhe hoteleve, me një rënie me normë vjetore prej 26.3%, të pasuara nga aktivitetet financiare, artet dhe argëtimi, industria nxjerrëse, energjia dhe ndërtimi.

Të vetmit sektorë që i kanë mbijetuar pandemisë në periudhën Prill – Qershor të këtij viti janë aktivitetet e shitblerjeve të pasurive të patundshme dhe bujqësia. Tregu imobliar u rrit me 5.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa bujqësia me 2.6%.

Popullata uli konsumin në këtë periudhë me 7.5%, bizneset tkurrën investimet me 11%, ndërsa eksportet u përgjysmuan.

Ky është tremujori i tretë që ekonomia shënon rënie. Në fund të vitit 2019 rritja ekonomike rezultoi -0.15% për shkak të goditjes së tërmetit, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti ra me 2.52%.

Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, këtë vit recesioni parashikohet të jetë 7.5% për shkak të pasojave të pandemisë së Covid-19.

Tv Klan