Recesioni i Italisë pritet të japë efekt edhe në ekonominë shqiptare. Ekspertët i frikësohen një ndikimi që ngushttimi i rritjes ekonomike në këtë shtet do të ketë edhe tek ne për shkak se është një ndër partnerët kryesorë tregtarë, ku shkon shumica e eksporteve tona.

Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thotë se janë 3 fusha të cilat pritet të goditen për shkak të krizës përtej Adriatikut: shkëmbimet tregtare, investimet e huaja direkte dhe dërgesat e emigrantëve.

Arben Malaj shprehet se vëmendja kryesore e qeverisë duhet të investohet sidomos te familjet e emigrantëve dhe matja e një efekti që do të ketë në Shqipëri kthimi i tyre. Një element i mirë që mund të mbrojë ekonominë tonë është pjesa që eksportet shqiptare drejt Italisë nuk kanë si destinacion konsumatorin italian, por atë europian.

Situata në Itali mund të jetë afatgjatë, sqaron Malaj, prandaj institucionet në Shqipëri duhet të përgatiten për t’i paraprirë pasojave.

Ekonomia italiane ka shënuar rënie për dy tremujorë me radhë, ku shkaku kryesor është rritja e interesave të obligacioneve qeveritare të cilat kanë ulur ndjeshëm kreditimin në ekonomi.

Tv Klan