Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin një tjetër mesazh për klasën politike shqiptare se zgjidhja e krizës politike duhet të vijë nëpërmjet institucioneve vendase. I pyetur në forumin e Këshillit të Atlantikut në Uashingtoin,  ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën, Philip Reeker tha se bojkoti dhe djegia e mandateve nuk ndihmojne ne për zgjidhjen e situatës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë miqtë më të mirë të Shqipërisë. Punuam shumë për integrimin në NATO të Shqipërisë dhe jemi krenarë për këtë, por nuk jemi edhe aq për shqiptarët javët e fundit sepse ata nuk po i përdorin institucionet që kanë. Nuk mund të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Institucionet duhen përdorur, gjykatat, duhet ngritur gjykata kushtetuese, për të zbatuar kushtetutën. Këto mjete duhen përdorur për të kapërcyer periudhat e vështira politike.”

Reeker bën të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin rolin e arbitrit mes palëve.

“Shtetet  e Bashkuara nuk do të ndërmjetësojnë në politikën e brendshme të Shqipërisë. Do të vijojmë të nxisim të gjitha palët për të punuar sëbashku me institucionet për të bërë hapat e nevojshëm për t’ia dalë mbanë. Dhe nëse institucionet nuk funksionojnë, atëherë punoni për t’i ndryshuar ato me mjetet kushtetuese që keni në dispozicion.”

Zyrtari i lartë amerikan ka folur edhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës duke theksuar se të dyja palët duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve duke marrë si shembull marrëveshjen e Prespës. Sipas tij SHBA janë të gatshme për të ndihmuar dialogun por e rëndësishme është që vendet të kenë vullnet për të shkuar drejt zgjidhjes.

Tv Klan