“Lufta kundër korrupsionit, interes thelbësor i SHBA”

Ambasada Amerikane ka zbardhur takimet e ndihmës Sekretarit të Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Philip Reeker që vizitoi këtë të mërkurë Tiranën. Gjatë vizitës, ai pati takime të veçanta me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, disa prej anëtarëve sistemit të drejtësisë që kanë kaluar Vetting-un, por edhe zyrtarë të tjerë.

Ambasada thotë se gjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë.

Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Në bazë të këtij neni Departamenti i shtetit ka shpallur ‘non grata’ disa zyrtarë në Shqipëri.

Një tjetër temë e vizitës së Reeker në Tiranë ishte Stërvitja Defender Europe 21, që sipas diplomatit amerikan  theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.

Reeker mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian.

Zyrtari i lartë amerikan ka shmangur një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, ndërsa burime të TV Klan bëjnë të ditur se ai ka drekuar me 3 ministrat të kabinetit Rama, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, atë të Drejtesisë, Etilda Gjonaj, dhe ministrin e mbrojtjes, Niko Peleshi.

Pas Tiranës Riker do të jetë nesër në Oher, për të marrë pjesë në konferencën Rruga e Prespës ku do te diskutohet për integrimin si dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit me kryeministrat e Shqiperisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës e Serbisë dhe pjesëmarrjen e ministrit gjerman për europën, Mikael Roth dhe komisionerin europian për buxhetin, Johanes Hahn.

Tv Klan