Para protestave te fundjavës kundër mobilizimit, Kremlini nxjerr ne rruge mbështetësit pro luftës

Në territoret e pushtuara të Ukrainës Rusia filloi mbajtën e referendumeve të rreme me synim aneksimin e katër rajoneve. Zyrtarët ukrainas thanë se qytetarëve u ndalohej largimi nga disa zona të pushtuara deri në përfundimin e votimit katërditor, ndërsa grupet e armatosura hynë nëpër shtëpi dhe ushtarët e armatosur kërcënuan nëse nuk merrej pjesë.

Referendumet për bashkim me Rusinë u organizuan me nxitim pasi Ukraina rimori pjesë të mëdha të verilindjes në një kundërofensivë në fillim të këtij muaji.

Me presidentin rus VladimirPutin që njoftoi gjithashtu mobilizimin e pjesshëm ushtarak të rreth 300,000 rezervistëve, Kremlini duket se po përpiqet të rimarrë nw dorën situatën. Pas eksodit masiv të largimit të meshkujve jashtë vendit, makineria e propagandës ka nxitur kundër protesta.

Mijëra rusë morën pjesë në mitingjet pro-qeveritare të premten në Moskë dhe Shën Petersburg. Autoritetet lokale në Moskë raportuan se 50,000 vetë dolën në rrugë për të mbështetur mobilizimin e pjesshëm ushtarak dhe referendumet e organizuara në katër rajone të pushtuara.

 “Ne po mbështesim ushtarët tanë, të cilët tani janë në vijën e frontit. Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë si askush tjetër”, tha Nikolay Novoshenya, një banor i Shën Petersburgut që mori pjesë në tubim.

Votimi në provincat e Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia në lindje dhe juglindje, që përfaqësojnë rreth 15% të territorit ukrainas, do të zhvillohet nga e premtja deri të martën. Qendrat e votimit u ngritën edhe në Moskë, për banorët e atyre rajoneve që tani jetojnë në Rusi.

Serhiy Gaidai, guvernatori i Luhansk i Ukrainës, tha se në qytetin Starobilsk, popullatës iu ndalua largimi dhe njerëzit po detyroheshin të dilnin nga shtëpitë për të votuar. Në qytetin e Bilovodsk, një drejtor i kompanisë u tha punonjësve që votimi ishte i detyrueshëm dhe kushdo që refuzonte të merrte pjesë do të pushohej nga puna ndërsa emrat e tyre do t’u jepen shërbimeve të sigurisë, shtoi ai.

Ukraina, udhëheqësit perëndimorë dhe Kombet e Bashkuara i dënuan referendumet.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca ushtarake do të rrisë mbështetjen për Ukrainën në përgjigje të referendumeve dhe dot të përgatitet për një skenar ku “Rusia do t’i përdorë këto referendume të rreme për të përshkallëzuar më tej luftën”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila monitoron zgjedhjet, tha se rezultatet nuk do të kenë asnjë ndikim ligjor pasi ato nuk përputhen me ligjin e Ukrainës ose me standardet ndërkombëtare. Moska pohon se referendumet ofrojnë një mundësi për njerëzit në rajon të shprehin pikëpamjet e tyre.

Ka filluar votimi në referendumin që rajoni i Zaporizhzhia-s të bëhet pjesë e Rusisë si entitet përbërës i Federatës Ruse! Ne po kthehemi në shtëpi!” tha VladimirRogov, një zyrtar kukull i administratës së instaluar nga Rusia në rajon.

Por Ukraina thotë se nuk do të pranojë kurrë marrjen e territorit nga Rusia.

 “Është e gjitha marrëzi, blof dhe manipulim politik për të na frikësuar ne dhe vendet perëndimore me gjërat e tyre bërthamore”, tha Oleksandr Yaroshenko, një banor i Kievit.

Rusia përdori më parë një referendum si pretekst për aneksimin e Krimesë në vitin 2014, të cilin komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur.

Një komision hetimor i mandatuar nga OKB tha se kishte gjetur prova të krimeve të luftës duke përfshirë ekzekutime, përdhunime, tortura dhe burgosje të fëmijëve në zonat e pushtuara nga Rusia, pas misioneve vëzhguese në 27 zona dhe intervistave me mbi 150 viktima dhe dëshmitarë.

Nëse lihen pa përgjigje, (shkeljet e Rusisë) do të na tërheqin në një botë të errët të mosndëshkimit dhe pranimit të krimeve,” tha i dërguari i Ukrainës Anton Korynevych në Këshillin e të drejtat e njeriut të OKB-së.

Rusia mohon të ketë sulmuar qëllimisht civilët në konflikt dhe thotë se akuzat për abuzim janë një fushatë shpifjeje.

Në fushën e betejës, Ukraina tha se dy dronë të prodhuar nga Irani vranë një grua dhe shkatërruan një ndërtesë administrative në portin e Odessa.

Klan News