Rajoni i Katalonjës po përjeton një ditë kaotike. Me mijëra forca të Guardia Civil dhe Policia e Madridit po tentojnë të bllokojnë votimin për referendumin e pavarësisë që ka nisur në orën 09:00 të mëngjesit të së dielës.

Policia raportohet të ketë qëlluar mbi turmën e njerëzve me plumba gome, ndërkohë që skena dhune janë regjistruar në kryeqytetin rajonal të Katalonjës dhe qytetet e tjerë.

Me shumë se 300 persona kanë mbetur të plagosur në përleshjet me policinë, ndërsa tre efektivë raportohet të jenë në gjendje të rëndë.

Pamjet treguan forcat e Guardia Civil duke thyer xhamin e një qendre votimi në provincën e Girona ku po votonte Presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont. Kreu i rajonit autonom kërkoi që referendumi të mbahet gjithsesi dhe u bëri thirrje 5.3 milionë votuesve të ligjshëm që të shprehin vullnetin e tyre me votë.

Kreu i rajonit autonom të Katalonjës dënoi dhunën e policisë federale dhe e quajti atë të pajustifikueshme.

Carles Puigdemont, Presidenti i Katalonjes: “Dhuna nuk do ta ndalojë popullit katalonjas të votojë”.

Në Barcelonë, policia largoi me dhunë disa qindra votues nga një qendër votimi e ngritur në një shkolle. Disa dhjetra persona janë arrestuar në kryeqytetin katalanas teksa po bëheshin gati të votonin.

Megjithë dhunën e papranueshme të qeverisë spanjolle, më shumë se gjysma e 2300 qendrave të votimit vijojnë të mbahen hapur. Mijëra njerëz përfshirë autoritetet katalonjase kanë hedhur votën e tyre deri tani.

Katalonia, një rajon i pasur prej 7.5 milionë banorësh në Spanjën veri-lindore, ka gjuhën dhe kulturën e vet.

Ajo gjithashtu ka një shkallë të lartë të autonomisë, por nuk njihet si një komb i veçantë nën kushtetutën spanjolle. Katalonja është një qendër industriale me një ekonomi më të madhe se ajo e Portugalisë.

Tv Klan