Qytetarët e Maqedonisë të regjistruar për të votuar në përfaqësinë diplomatiko-konsulare në Melburn të Australisë, janë përballur me presione dhe etiketime gjatë votimit të sotëm. Siç njoftohet, një grup qytetarësh që mbështesin bojkotin e referendumit, kanë publikuar pamje të votuesve duke i quajtur tradhtarë. Rasti është paraqitur tek autoritetet e Australisë ku pritet të merren masa përkatëse.

Derisa ka zgjatur votimi në diasporë, në rrjetin social Facebook është paraqitur një grup i formuar në Australi, ku janë publikuar video, fotografi si dhe identiteti i qytetarëve të diasporës, të cilët kanë dalë për të votuar në Melburn të Australisë, njofton Klan Maqedoni.

Siç njoftojnë mediat, ata i kanë xhiruar duke hyrë për të votuar, i kanë etiketuar dhe ofenduar. Sipas xhirimeve të publikuar nëpër rrjetet sociale bojkotuesit i kanë publikuar me emër dhe mbiemër duke i shpallur si tradhtarë.

Siç kanë njoftuar nga ministria e Jashtme autoritetet lokale në Australi tashmë janë njoftuar me këtë ngjarje dhe pritet që të marrin masa përkatëse ndaj personave që kanë penguar votimin.

Grupi i qytetarëve që kanë bërë presione ndaj qytetarëve në diasporë, ka publikuar një fotografi të përbashkët në rrjetet sociale. Kundër tyre, pritet që autoritetet e Australisë të nisin procedurat, pas denoncimit të rastit nga autoritetet e Maqedonisë.

Ndërkohë, faqja në Facebook ‘Tradhtarët” ku janë publikuar fotot e qytetarëve që kanë votuar në Melburn të Australisë, është mënjanuar nga rrjeti social.

Nga ana tjetër, MPB-ja ka bërë thirrje që nesër të gjithë të përmbahen nga çfarëdo shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe fshehtësisë së votës, siç është edhe fotografimi apo xhirimi gjatë votimit. “MPB-ja do të ndërmarr gjithçka që është e nevojshme, që më 30 shtator qytetarët të papenguar dhe të qetë ta shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për prononcim të lirë të vullnetit të tyre qytetar” – thuhet në komunikatën e sotme të MPB-së. /Klan Macedonia