Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë për gjyqësorin, në disa komuna në jug të saj. Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviç, tha se serbët mund tu drejtohen qendrave në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë, që shtrihen jo larg kufirit me Kosovën.

Ky vendim u publikua pak orë pasi Parlamenti i Kosovës mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar votimin  për referendumin e Serbisë mbi ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thirri mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit, një ditë pasi bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca, refuzuan thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të lejuar mbajtjen e referendumit edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Me 76 vota për, parlamenti miratoi një rezolutë sipas së cilës mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Diën e sotme Serbia mban një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi ka paralajmëruar “pasoja afatgjata” pasi Prishtina nuk lejoi mbajtjen e tij në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Klan News