Do të ndryshojë skema, ata që kanë nisur punën 20 vjeç do të dalin në pension 63 vjeç

Kryeministrja franceze Elisabeth Borne është tërhequr nga skema e re e pensioneve mes protestave që shpërthyen në të gjithë Francën, pas lajmit se mosha do të rritej deri në 64 vjeç.

“Ne do të lëvizim duke zgjeruar masën për ata që kanë filluar të punojnë në moshën 20 dhe 21. Ata do të mund të dalin në pension në moshën 63 vjeç,” tha Borne në një intervistë për gazetën “Le Journal du Dimanche”.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron me skemën e mëparshme parashikonte që njerëzit të dilnin në pension 64 vjeç por për shumë punëtorë kjo do të thotë kosto e lartë jetese mes rritjes së inflacionit që ka përfshirë Francën për shkak edhe të agresionit rus në Ukrainë.

Meqenëse partia e tij humbi shumicën e saj absolute vitin e kaluar, qeverisë i duhen votat e konservatorëve për të kaluar reformën  në parlament.

Një zëdhënës i republikanëve në dhomën e ulët, ligjvënësi Pierre-Henri Dumont, tha për radion “Franceinfo” se skema e mëparshme nuk fitoi mbështetjen e anëtarëve të partisë. Borne tha se masa do të prekte deri në 30,000 njerëz dhe do të kushtonte deri në 1 miliard euro në vit, që do të thoshte se do të duhej të gjendej një burim financimi.

Qeveria franceze është përballur me dy ditë grevash mbarëkombëtare që nga prezantimi i reformës me sindikatat që planifikojnë një tjetër të martën. Një total prej 1.272 milion njerëz morën pjesë në protestën mbarëkombëtare të 31 Janarit, pak më shumë nga demonstrata e parë mbarëkombëtare më 19 Janar.

Klan News