Aksionet e fundit të SPAK, sinjale pozitive, por nuk i shpëtoi polarizimit politik

5 vite më parë u shënua momenti historik i miratimit të reformës në drejtësi, me vullnetin e 140 ligjvënësve, dhe pa kundërshtinë e askujt.

Në 25 vite pluralizëm politik, reforma në drejtësi është cilësuar si më e rëndësishmja, ndërsa për Bashkimin Europian ishte kushti bazik për çeljen e negociatave.

Menjëherë pas miratimit të saj, peshqit e mëdhenj ishin në rrezen e ndërkombëtarëve. Paralajmërimin e parë e dha ambasadori i SHBA në atë periudhë, Donald Lu.

 “Të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen e peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe ky sukses të vijojë me SPAK dhe BKH. Dielli duket që në mëngjes”.

Por kalvari i 5 viteve është shoqëruar nga krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe pastrimi i institucioneve aktuale nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, duke lënë të qetë edhe për disa kohë peshqit e mëdhenj.

Procesi i i spastrimit nëpërmjet vettingut solli dorëheqje masive nga gjyqtarë dhe prokurorë, duke shkaktuar mungesë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, ndërsa ajo e Apelit rrezikon të boshatiset.

Konsensusi politik që shoqëroi miratimin e reformës nuk vijoi me zbatimin e saj. Reforma në drejtësi nuk arriti t’i shpëtojë polarizimit politik.

Debati i hapur mes Presidentit Ilir Meta dhe parlamentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese solli bllokimin e gjatë të saj. Dritën kjo gjykatë e pa në fund të vitit 2020 me emërimin e 6 anëtarëve, nga 9 që nevojiten për të qenë tërësisht funksionale.

Debati për reformën në drejtësi nuk u la pas nga Presidenti Meta as para zgjedhjeve të 25 Prillit duke e cilësuar si Ramaforma, ndonëse 5 vite më parë nuk ia kurseu votën pro.

 “Nëse do të kishim patur vërtetë një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar ministrat, qeveria dhe vetë Kuvendi të bëntë këto gjëra që ka bërë dhe që ju ftoj shumë që t’i lexoni. Ashtu sikurse nuk do të kishin guxuar të bënin dhe shumë gjëra të tjera, afera të tjera”. (Ilir Meta, 27 Shkurt 2021)

Gjithsesi, kjo reformë pati mbështetjen e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, sidomos ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila ishte në cdo institucion për të dhënë mesazhe të forta për luftën me korrupsionin dhe kriminalitetin në vend.

5 vite nga miratimi në Kuvend, institucionet e reja të drejtësisë po shtojnë ethet. Operacionet e fundit kanë zgjuar shpresën tek qytetarët për të çuar pas hekurave çdo kënd që ka abuzuar me pushtetin.

Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe për abuzim me tendera, i ish-zv ministres Rovena Voda për ndikim të paligjshëm si dhe ish-kryebashkiakut të PD në Pogradec janë sinjale për një rrugë të gjatë që SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë do të kenë drejt asgjësimit të peshqve të mëdhenj.

Klan News