Reforma në drejtësi, ambasadori gjerman takohet me Vitore Tushën


Reforma në drejtësi, ambasadori gjerman takohet me Vitore Tushën

11:24 23/09/2020

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf është takuar këtë të mërkurë me Vitore Tushën, e cila është drejtuesja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe është anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Mësohet se në takim, Zingraf ka shprehur mbështetjen dhe angazhimin e Gjermanisë për reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe për ecurinë pozitive të saj me qëllim funksionimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe plotësimin e kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre”, është shprehur Zingraf.

Ndërkohë Vitore Tusha ka evidentuar rëndësinë që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. Si kryetare e KED-së, ajo ka treguar veprimtarinë e institucionet që drejton në ecurinë e procesit të përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

“KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm”, thotë më tej ambasadori gjerman./tvklan.al





Të ngjashme