180 minuta takim nuk mjaftuan, që krerët e shumicës dhe pakicës të arrinin një marrëveshje, që do të çonte në miratimin konsensual të Reformës në Drejtësi.

Mosbesimi ka dominuar, edhe pse palët pranuan të uleshin në tryezën e bisedimeve. Këtë e dëshmoi dhe dalja e Kryeministrit pas takimit, me një fjalim të shkruar, ç’ka për Bashën ishte një dëshmi që ai kishte ardhur me planin e qartë për të mos rënë dakort.

“Më vjen sinqerisht keq që nuk arritëm ta bindnim Partinë Demokratike, për të votuar sëbashkur draftin e shkruar bashkarisht me partnerët tanë strategjikë, të Reformës në Drejtësi.

Unë nuk u habita sepse nuk futem tek ata që mendojnë se Partia Demokratike e do Reformën në Drejtësi”

tha Rama pas takimit.

“Si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës, erdha sot në këtë takim me përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës, kryeministrin dhe përfaqësuesin relevant të forcave të tjera politike, me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje. Kam keqardhje të madhe të konstatoj pas 3 orëve e më shumë debate e diskutime, se pala tjetër erdhi në këtë tryezë me konkluzione të përgatitura, e me sa më thonë me një fjalim të përgatitur, pra jo për të kërkuar zgjidhje, jo për ti dhënë vendit një Reformë në Drejtësi, por për të krijuar alibitë se pse nuk mund të ketë reformë konsensuale në Drejtësi dhe mundësisht për t’i vënë fajin kundërshtarit”,

deklaroi në fjalën e tij kreu i PD, Basha.

Edi Rama, Fatmir Xhafa e Petrit Vasili nga ana e maxhorancës dhe Lulzim Basha, Oerd Bylykbashi e Edi Paloka, si përfaqësues të Partisë Demokratike nuk kanë mundur të gjejnë dakordësinë për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të reja kushtetuese të Drejtësisë, e vetmja pikë që mban të bllokuar miratimin në parlament, të ndryshimeve kushtetuese.

Rama i ka ofruar si kompromis votimin me 2 të 3 për këta përfaqësues, kusht i hershëm i opozitës, prej të cilit ka hequr dorë, që kur ka nisur të mbështesë formulën e vendeve të rezervuara për këto organe kushtetuese.

tavolina

“Për habinë e shumëkujt ndoshta, por jo timen, Partia Demokratike e refuzoi këtë ofertë”, 

deklaroi Rama.

“Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk patën asnjë argument thelbësor kundër këtij propozimi që është një propozim ndërkombëtar, një standard europian që funksion sot në Kroaci dhe në Maltë dhe që është sanksionuar nga Komisioni i Venecias. Thjesht nuk u pëlqen”, 

tha Basha.

Kryeministri e ka gati planin pas dështimit të takimit të sotëm.

Pas këtij takimi, Reforma do të niset për në sallën e parlamentit dhe nuk do të presim asnjë sekondë të vetën. Nëse ata do të duan të flasin me ne përsëri, që tani, në nivel ekspertësh, për çdo përmirësim, ne jemi të hapur deri në sekondën e fundit”,

deklaroi Kryeministri.

Por skenari i Ramës, sipas Kryedemokratit ka një fund të sigurtë.

“Çdo akt unilateral i dërgimit në Parlament të një pakete të parakorduar me opozitën do të takohet atje me dështimin e sigurtë. Çdo dështim me votimin në Parlament të kësaj pakete do të thotë shtyrje e Reformës në Drejtësi”,

deklaroi Basha.

Të dyja palët bënë përgjegjëse njëra tjetrën për dështimin e takimit.

“Është mungesë vullneti që së bashku me opozitën t’i japësh vendit Reformën në Drejtësi”,

tha Basha.

“Partia Demokratike nuk mund të tregojë as edhe një arsye të vetme që mund të justifikojë mosvotimin e Reformës në Drejtësi, por kjo sipas meje nuk do të thotë akoma, që Partia Demokratike nuk do ta votojë këtë Reformë”,

u shpreh Rama.

Ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2 të 3 e votave të parlamentin për t’u miratuar, votat aktuale të mazhorancës nuk i kalojnë 85.

Tv Klan