Në tre vjet vetëm 208 prokurorë e gjyqtarë në Vetting

E dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur. Këta ishin tre cilësoret që përdori këtë javë ambasadorja amerikane për Reformën në Drejtësi.

Por ajo që është shndërruar në problemin kryesor është ngadalësia.

Ishte parashikuar qe të përfundonte brenda 5 vjetësh. Por fundi duket larg.

Në tre vjet, që nga nisja e Vettingut në Qershor të 2017-ës, në sitë kanë kaluar vetëm 208 prokurorë e gjyqtarë,  nga 800 të tillë që ka sistemi shqiptar i drejtësisë.

108 janë konfirmuar në detyrë. 97 kane ndjerë dhimbjet e shkarkimit dhe 1 është pezulluar një vit nga detyra.

Një raport i Avokatit të Popullit nënvizon se nëse reforma do të vazhdojë me këto ritme, do të duhen edhe 8 vjet që ajo të përfundojë.

Me gjasë në vitin 2028, afro 6 vjet me vonë nga sa ishte parashikuar.

Në raport thuhet se problematikë kryesore është numri i ulët i stafit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe hetimi i thelluar i çështjeve që kërkon një kohë më të gjatë.

Zvarritjeve iu shtua pandemia e Covid-19 që e bllokoi për disa muaj procesin. Këta nuk janë problemet e vetme.

Burime pranë komisionit të Vettingut bëjnë me dije se Institucionet që kanë për detyrë të përcjellin informacion në zyrat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk i janë përgjigjur në kohë interesimit të tyre. Drejtoria e sigurisë së Informacionit të klasifikuar apo edhe Inspektorati i lartë i deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesave, përcjellin shpeshherë me vonesë informacionet mbi subjektet që janë duke iu nënshtruar Vettingut.

Shkalla e dytë e Vettingut, Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ka shqyrtuar deri tani 121 çështje dhe ka shpallur 52 vendime.

Vetëm për 18 subjekte, gjyqtarët e KPA kanë ndryshuar vendimin e kolegëve të tyre, duke vendosur shkarkimin nga detyra.

Deri tani nuk rezulton të ketë asnjë vendim shkarkimi nga KPK, i ankimuar nga subjektet e rivlerësimit që të jetë ndryshuar dhe KPA të ketë vendosur konfirmimin në detyrë.

Por pothuajse të gjithë prokurorët e gjyqtarët që janë shkarkuar me vendim të formës së prerë i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut, ku kërkojnë rikthimin në detyrë.

Vettingu e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, ç’ka ka shkaktuar jo pak probleme, politike dhe gjyqësore, nga duket se vjen edhe shqetësimi për papërsosmërinë e saj.

Por ndërkombëtaret ngulmojnë tek ngadalësia, e cila pritet te shkaktojë jo pak probleme të tjera në të gjitha shkallët e gjyqësorit edhe për afro 1 dekadë.

Tv Klan