
Reforma në Drejtësi, Xhafaj: Jemi në kontakt me ekspertët e opozitës
15:41 31/12/2015
Reforma në Drejtësi do të jetë vetëm produkt i një konsensusi të mazhorancës dhe opozitës dhe ky konsensus duket më pranë kur palët i kanë përshëndetur rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Fatmir Xhafaj, Kryetari i Komisionit të Posaçëm për këtë reformë, në një intervistë për Televizionin Klan thotë se ekspertët e nivelit të lartë po punojnë për të reflektuar të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias dhe janë në kontakt dhe me ekspertët e opozitës për të përfshirë në këtë dokument propozimet që vijnë prej tyre.Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i këshilloi palët që të ulen në një tryezë për të gjetur konsensusin. Xhafaj beson se nuk do të ketë ndasi në propozimet e tyre për të përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nëse kjo do të ndodh, drafti i punuar bashkë me sugjerimet që nuk do të pranohen nga palët, do t’i çohën sërish këtij Komisioni për një vlerësim final, i cili do të vendimtar në votimin e reformës.Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi thotë se ndikimi i maxhorancës në të gjithë procesin e hartimin të saj ka qenë inekzistent. Dhe provë e kësaj, Xhafaj thotë se është faktin që, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim iu drejtua Komisionit të Venecias për vërejtjet dhe propozimet që kishte për draftin.Tv Klan