Përfaqësuesi i PD për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi thotë se demokratët kanë disa propozime si duhen garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bylykbashi u shpreh se opozita ka identifikuar disa probleme me zgjedhjet.

“Nuk mund të jetë zgjidhje që Partia Socialiste merr në kontroll administratën zgjedhore duke vënë militantët e saj. Ne kemi listat e zgjedhëve, sistemin e adresave, që kanë të bëjnë me mënyrën si manipulohen listat e zgjedhësve”.

Bylykbashi ka treguar edhe cilat janë disa nga propozimet e PD-së, të cilat selia blu do t’i paraqesë në tryezën e dialogut PS-PD-LSI, ku bën pjesë edhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e opozitës parlamentare.

“Roli i policisë duhet rritur, roli i Prokurorisë duhet rritur. Brenda këtyre dy muajve do të paraqesim të gjitha propozimet tona”, theksoi ai.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziut, nëse opozita është dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh: “Unë për veten time preferoj mazhoritar. Përballem drejtpërdrejt, nuk më vjedh shoku im i listës. Nuk bëhem deputet në Facebook duke ndenjur nga shtëpia”. /tvklan.al