Gjiknuri: Gati të largohem nga Komisioni i Reformës

Gjiknuri: Gati të largohem nga Komisioni i Reformës

10:39 19/09/2019

PD: Duhet të ndiqet penalisht. PS: Nuk vendos opozita

Damian Gjiknuri është i gatshëm të dorëhiqet nga bashkëdrejtimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse opozita joparlamentare do ta vendosë largimin e tij si kusht për pjesëmarrjen në të.

“Të them të drejtën mua më duket disi dhe ironike, por pse jo dhe qesharake që gjithë ajo kauzë për ‘Rama ik’ mund të përfundojë në ‘Damian ik’. Nëse opozita jashtëparlamentare e njeh këtë komision të reformës zgjedhore dhe vërtetë shikon qenien time në drejtimin e tij si pengesë, unë mund ta rishikoj pozicionin tim në bashkëbisedim edhe me drejtimin politik të partisë time. Është hera e parë që kushtëzohet interlokutori. Nëse është kushti i vetëm, unë në bashkëbisedim me kryetarin e partisë time mund të shikojmë një zgjidhje”, ka deklaruar Damian Gjiknuri.

Opozita e akuzon për manipulim të zgjedhjeve në Diber. Gjithsesi ai i kujton se ishte ai nismëtari për ta bërë pjesë të reformës në rolin e vëzhguesit Partinë Demokratike, dhe se nuk ka asnjë akuzë penale që rëndon mbi të, por thjesht politike. Në vazhdën e akuzave ai i kujton Lulzim Bashës 21 Janarin.

Demokratët reaguan duke thënë se largimi i Damian Gjiknurit nuk mund të lihet thjesht në vullnetin e tij.

“Besoj unë, Damian Gjiknuri dhe gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat, nuk duhet të jetë me zgjedhje për të dhënë apo jo dorëheqjen nga Komisioni, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore. Kjo nuk është kërkesë e opozitës, ky është standard evropian, është një nga kushtet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave. Të gjithë ata, përfshirë DamianGjiknurin dhe gjithë pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit, që janë pjesë e dosjeve “184” dhe “339” nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore, por do të duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer”, u shpreh Gazment Bardhi.

Taulant Balla që përsërit ftesën drejtuar opozitës për t’u bërë pjesë e Reformës Zgjedhore, ju kujton se në politikë kundërshtarët nuk zgjidhen, aq më tepër sipas tij nuk mund të kërkohet largimi i një eksperti të çështjeve elektorale të nivelit të Damian Gjiknurit.

“Unë nuk jam dakord me këtë qasje të kujtdo që vendos kushte. Z.Gjiknuri është një ndër ekspertët i reformave shumëvjeçare zgjedhore në Shqipëri. Është eksperiencë e dobishme në funksion të mënyrës së përkthimit të rekomandimeve të OSBE. Ky është një debat pa kuptim. Asnjëra palë nuk mund të zgjedhë palën tjetër. Nuk dua të zgjatem në një çështje që nuk është çështja themelore”.

Largimin e Damian Gjiknurit e kërkon dhe një pjesë e opozitës brenda Parlamentit. Edhe pse bashkëkryetarja Rudina Hajdari po bashkëpunon me Gjiknurin për organizimin e tryezës së thirrur në bashkëpunim me OSBE, Ralf Gjoni mendon ndryshe.

“Do na akuzojnë se jemi bërë palë me çunat problematikë”.

Damian Gjiknuri, duke folur për Tv Klan, lë të kuptohet se mazhoranca do të tentojë mjete të tjera veç përfshirjes në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për t’u ulur në tryezën e dialogut me Lulzim Bashën dhe aleatët e tij.

Lulzim Basha një ditë më parë e refuzoi ftesën e Kryeministrit Rama për të marrë pjesë në tryezën e Reformës Zgjedhore dhe deklaroi se përpara se të shkohet në këtë tryezë, nevojitet një marrëveshje politike.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT