“Financimi privat nuk duhet të kalojë atë publik”

Përfaqësuesi i opozitës, Ivi Kaso, ishte i pranishëm në tryezën e organizuar këtë të martë për reformën zgjedhore.

Ai theksoi se qëndrimi që PD ka shprehur për financimin 100% nga buxheti i shtetit ka për qëllim vënien e kufirit ngaj shpenzimeve zgjedhore. Për sa i përket këtij propozimi ai deklaroi se nuk pati reagim negativ nga mazhoranca.

“E rëndësishme është që financimi të kufizohet dhe të rregullohet e monitorohet. Propozimi ynë për financim 100% publik dhe kriminalizmin e financimit privat është propozim drastik i cili kërkon dhe rritjen e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese dhe rritjen e performancës së tyre. Për t’i ardhur ndesh edhe sensibilitetit të shprehur nga aleatët ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe formula të tjera financimi, por për sa kohë qëllimi është të shkohet drejt financimit 100% publik. Qëllimi imediat është për ti vënë një kufi të qartë shpenzimeve zgjedhore për uljen e shpenzimeve zgjedhore në përgjithësi dhe për futjen e nocionit financimi privat nuk duhet të kalojë atë publik”, tha Kaso.

Ndër të tjera, ai tha se opozita ka mbështetjen e qytetarëve dhe mund t’i fitojë zgjedhjet që nesër. /tvklan.al