Soreca: Të arrihet marrëveshja deri më 31 Maj

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim ka përshëndetur mbledhjen e radhës të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Në një postim në Twitter, ambasadorja përgëzon palët për progresin dhe u kërkon që të mos ndalen deri në arritjen e një marrëveshjeje brenda 31 Majit. Kim u kujton palëve se negociatë do të thotë se askush nuk do të mund të marrë gjithçka dëshiron.  

“Më shumë progres sot, mbeten vetëm 2-3 çështje. Partitë duhet të punojnë përgjatë fundjavës për të arritur marrëveshjen deri më 31 Maj, ashtu siç premtuan (Duhet të rikuperojnë kohën e humbur nga Covid). Askush nuk do të mund të marrë çdo gjë që dëshiron-përkufizimi i negociatave. Jeni afër, mos ndaloni, mos zhgënjeni.

Mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore përfundoi pa dakordësi, pasi palët ndahen në qëndrimet e tyre sa i përket përdorimit të teknologjisë në zgjedhje.

Opozita kërkon identifikim biometrik në të gjithë vendin, por maxhoranca propozon shtrirjen e tij në disa zona, mbështetur edhe në një opinion të bërë nga ODIHR-i.

Po ashtu, ka reaguar edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili shprehet ndër të tjera fton palët që të vazhdojnë punën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje deri më 31 Maj.

“Është e rëndësishme që të bëhet përparim në Reformën Zgjedhore, në Këshillin Politik. Ne mirëpresim qëndrimin konstruktiv të marrë nga të gjitha palët dhe i ftojmë ata të vazhdojnë të punojnë me qëllim që të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme deri më 31 Maj, duke lejuar Shqipërinë në ecjen para në procesin e integrimit në BE”. /tvklan.al