Kuvendi iu rikthye normalitetit pas 5 muajsh kaos. Ajo që i gjeti deputetët ditën e sotme në parlament ishte pikërisht debati.

PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha kërkoi që në rendin e ditës të futen propozimet e tyre në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Por kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, tha se pakica ka ardhur me një draft me kushte. Ai tha se mazhoranca do të presë raportin përfundimtar. Kjo krijoi replika mes palëve (Lexo më shumë).

Ishte Enkelejd Alibeaj, i cili është bashkëkryetar i këtij komisioni që tha se ka dy vendime gjykate për listat e hapura dhe votën e diasporës. Ai theksoi se një nga arsyet se pse dështoi komisioni ishte se mazhoranca priste pazar, por nuk do ta gjejë këtë në radhët e demokratëve.

“Nuk kam ardhur për pazar me ju. Absolutisht jo, pazarin gjejeni diku tjetër. Në fakt kjo është arsyeja pse dështoi komisioni i reformës. Pritët pazar? Nuk keni për të pasur pazar nga ne, kurrë! Me çfarë do lloj kostoje. Në doni të mbroni karriget tuaja pazarin tuaj gjejeni diku tjetër. Siç duket jeni duke e përgatitur këtë pazar. Synimi juaj tek ky pazar që e quani konsensus është thjesht dhe vetëm për të mbrojtur karriget tuaja”, tha ai.

Më tej shtoi se për dy vite socialistët nuk dërguan asnjë produkt.  

“I vetmi produkt është i joni. Hidheni në votë, rrëzojeni. Do rrëzoni atë do mbani listat e mbyllura, do përjashtoni disasporën”, tha ai më tej.

Më pas fjalën e mori Lulzim Basha, i cili kërkoi po ashtu që deputetët të shprehen me votë në lidhje me propozimet e demokratëve duke hedhur poshtë akuzat se nuk ka dalë asnjë produkt nga ky komision.

“Duhet të kishit treguar pak më shumë durim. Pas 6 muajsh sjellje vërdallë të propozimeve të opozitës sot duhet të shpreheshit me po ose jo të qarta jo të bëni lojëra si kryetari i grupit tuaj apo si ministrja përgjegjëse për parlamentin. Lojërat e fjalëve nuk pinë më ujë. Shqiptarët duan të dinë se çfarë qëndrimi keni ju për propozimet tona dhe s’mund t’i gënjeni as me ndihmën e gënjeshtarëve të tjerë që ka dy vjet që komisioni nuk ka produkt sepse produktin e keni aty, produktin e keni brenda”, tha Basha.

Sipas tij në Dhjetor 2022, PD ka dorëzuar paketën e parë të propozimeve ndërsa të dytën e ka bërë në Nëntor 2023.

“Shqiptarëve ua keni borxh tani në rendin e ditës tani të hidhni propozimet institucionale të PD dhe të kërkoni votën e anëtarëve të kuvendit të Shqipërisë që qytetarët shqiptarë ta kuptojnë jeni pro listave të hapura apo kundër, jeni pro votës së diasporës apo jo, jeni pro votimit elektronik apo kundër”, tha ai.

Në fund pati një replikë nga ministrja Spiropali e cila tha se Basha është shembull i listave të mbyllura. Ajo tha se PS nuk ka frikë nga gara e hapur.

“Zoti Basha me gjithë respektin ju nuk duhet të flisni me lista të hapura apo të mbyllura se ju jeni produkti më ekzemplar dhe i shkëlqyer i listave të mbyllura. Për lista të hapura mbeteni për t’u provuar. Nëse ka diçka që PS është e vendosur ta garantojë janë zgjedhjet e lirshme dhe të ndershme dhe zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë me të gjithë ato elemente që ju përmendët që nuk janë detyrim apo ultimatum i juaj, por janë detyra që ka lënë gjykata kushtetuese në një pjesë dhe detyra jonë si forca udhëheqëse në vend. Nëse ka një forcë, një grup apo një njeri që ka frikë nga gara e hapur atë shikojeni përpara pasqyrës se nuk do e gjeni tek Edi Rama dhe tek PS”, u shpreh Spiropali./tvklan.al