Damian Gjiknuri: Mund të ketë një shtyrje për pak ditë

Për rreth 90 minuta diplomatë nga ambasada e BE-së, Zvicrës, SHBA-së, OSBE-së dhe ODIHR-it biseduan me përfaqësuesit politikë të Reformës Zgjedhore për të mësuar rreth progresit të bërë deri tani. Pas takimit, ambasadori Boschardt tha se me rëndësi është arritja e një kompromisi mes palëve.

“Ishte një takim konstruktiv. Ne duan të inkurajojmë negociatorët që të arrijnë në një kompromis. Folëm për disa çështje, si depolitizimi i administratës dhe për median e pavarur”.

Përfaqësusesi i mazhorancës tha se nëse marrëveshja nuk arrihet deri më 15 Mars, afati do të shtyhet me disa ditë.

“Mbetet që ditët  fundit të zgjidhim disa probleme kryesore, siç është depolitizimi i administratës zgjedhore apo departizimi, sa do ta përfshijmë teknologjinë në zgjedhje, Kolegji Zgjedhor dhe probleme të tjera, që besoj se ne do të gjejmë një dakordësi shumë shpejt”.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës shprehen te prerë për ta mbyllur Reformën Zgjedhore brenda 15 Marsit, teksa konsiderojnë Kryeministrin Edi Rama si pengesën kryesore për të zhvilluar zgjedhje demokratike.

“15 Marsi është afati mes vullnetit për ta mbyllur ose jo Reformën Zgjedhore, për shkak të halleve të ditës së mazhorancës që krizëne e saj politike përpiqet ta zgjidhë duke mbajtur peng Reformën Zgjedhore”, tha Petrit Vasili i LSI.  

Ajo që duhet shqiptarëve është një reformë zgjedhore që garanton ata nga vullneti i një Kryeministri që grabit zgjedhjet për të grabitur shqiptarët. PS-ja ka masakruar zgjedhjet nga 2015 e deri sot”, deklaroi ish-deputeti i PD Oerd Bylykbashi.

Nga burime brenda tryezës mësohet se ambasadori i BE, Luigi Sorecca dhe ajo amerikane Yuri Kim janë shprehur se e rëndësishme është që palët të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve dhe se Kolegji Elektoral të jetë në një linjë me Kushtetutën.

Tv Klan