“Gazetarët e pakënaqur të lexojnë ligjin”

Në prag të marrjes zyrtarisht të kryesimit të OSBE-së, kreu i qeverisë, i cili ndodhet në Vjenë zhvilloi një takim me disa gazetarë. Kryeministri u pyet rreth krizës politike.

Ai e konsideroi atë si artificiale dhe të injektuar nga opozita. Megjithatë ai tha se është shenjë e mirë që opozita dhe mazhoranca janë sot në një proces dakordësie për sa i përket reformës zgjedhore.  

“Sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, fatkeqësisht është tejkaluar fjala e madhe. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën, me pikërisht implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që nuk mendoj që këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Unë ju thashë që, ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur – ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, – dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë”, tha Rama.

Për sa i përket ligjit të mediave, Rama tha se “gazetarët e pakënaqur duhet të lexojnë ligjin”. Sipas tij, pakënaqësitë ndaj ligjit vijnë për shkak se ai nuk është lexuar.

“Jemi superkrenarë që kemi marrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot është në një pozicion të tillë që është edhe një vlerësim gjë që e relativizon shumë pikturën e krizës dhe pakënaqësisë politike mediatike të Tiranës. Gazetarët e pakënaqur duhet të lexojnë ligjin. Kjo nuk është çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetari i qeverisë dhe mazhorancës them që jemi të gatshëm që të ofrojmë kushte, salla leximi, asistencë teknike për lexim që kush është i pakënaqur nga ligji të lexojë ligjin, sepse pakënaqësitë e treguara vijnë si rezultat i mosleximit të ligjit”, tha Rama. /tvklan.al