Dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, u takuan këtë të martë me dy të mandatuarit e opozitës për dakordësimin me mazhorancën për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Në përfundim të mbledhjes folën të katër përfaqësuesit e mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jo parlamentare.

Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi se është dakordësuar për dokumentin që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ketë asistencë ndërkombëtare.

“Sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë, dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i reformës zgjedhore. Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë mekanizëm do kemi asistencën ndërkombëtare. Së fundmi, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jone, për të arritur këtë do të ngrihet një forum që do quhet Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer këtë reformë“, tha Bylykbashi.

Rudina Hajdari tha se u diskutua rreth një kuadri bashkëpunimi në vijim për reformën zgjedhore. Ajo theksoi se opozita parlamentare do ta vazhdojë vullnetin për sa i përket reformës zgjedhore.

“Prezenca e PD dhe LSI tregon që kanë pranuar se rruga e duhur për të zgjidhur problemet ka qënë ajo institucionale dhe jo ajo me protesta e molotov, e cila nxinte imazhin e Shqipërisë. Sot PD dhe LSI pranuan që rruga që do t’i jepte zgjidhje kësaj krize ka ide dhe plane konkrete. Do kërkojë konsensus nga palët dhe dua të theksoj se vullneti i opozitës do vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t’u kthehet sovraniteti në parlament“, tha ajo.

Damian Gjiknuri tha se ka një marrëveshje politike mes palëve.

“Ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus, patjetër edhe me zyrtarët e ODIHR që të adresojnë çështjet që palët ndahen. Mazhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës”, tha ai, ndërkohë që shtoi se ndërkombëtarët e ndjekin me shumë vëmendje këtë proces. /tvklan.al