Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Reformatorët e Partisë Demokratike, kanë gati gjithçka për krijimin e partisë së re. Nesër ata do të deklarojnë zyrtarisht atë çka e cilësojnë alternativën ndryshe të demokratëve shqiptarë. Sipas Ferdinand Xhaferrit, slogani i kësaj partie, do të jetë “Me ne fitojnë të ndershmit”.

Ferdinand Xhaferri:- “Kjo me të vërtetë do të jetë një parti demokratike e rindërtuar, ku shumë personalitete, shumë subjekte politike po të PD, do të japin mesazhin në elektorat, që PD e mendimit të votuesit jemi ne. Me këtë unë dua të them, se në qoftë se grupi i zotit Berisha vërtitet rreth sloganit “Me ne fitojnë të gjithë”, ndryshimi i këtij grupimi që po lind do jetë shumë i qartë se me ne do fitojnë vetëm të ndershmit”.

Në Partinë e Re Demokratike do të përfshihet Lëvizja Reformatore, Partia e Djathtë Demokratike dhe Partia Lëvizja për Demokraci. Përveç emrave tashmë të njohur të reformatorëve, në këtë pari do të marrin pjesë edhe mjaft të larguar nga PD, si Dashamir Shehi, Tomorr Dosti, Albert Brojka, Genc Ruli, Tomorr Malasi, Maksim Konomi, Antoneta Luli etj. Ndërkohë deputeti Leonard Demi ka deklaruar mospjesëmarrjen në këtë parti./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego