Ujësjellësit debitorët më të mëdhenj, kanë 138 mln € borxhe për dritat

Qeveria do të nisë së shpejti zbatimin e një tjetër reforme në sektorin energjetik, por këtë herë jo për pagesën e detyrimeve nga qytetarët, por nga vetë kompanitë publike dhe institucionet që rezultojnë debitore ndaj OSHEE-së.

Në bazë të një urdhri të përbashkët të ministrisë së Financave dhe asaj të Energjisë, rezulton se borxhet që kanë kompanitë në sektorin energjetik ndaj njëra-tjetrës kapin vlerën e 420 mln Eurove, ndërsa institucionet shtetërore kanë në total 178 mln Euro fatura ta papaguara, ku 80 milionë datojnë që në vitin 2014-ë, periudhë kur është bërë dhe fshirja e pjesës më të madhe të debive nga sistemi.

Kjo situatë ka bërë që kompanitë në këtë sektor të mos paguajnë detyrimet që kanë marrë në formën e kredive të garantuara nga shteti, dhe një pjesë e kostove është përballuar nga buxheti.

Problematika më e madhe shihet në ndërmarrjet e ujësjellësve të cilat kanë në total 138 mln Euro fatura të papaguara, e cila ndahet në 68 milionë Euro principal dhe 73 kamatvonesa.

Ministria e Financave do të nisë zbatimin e marrëveshjeve me këto kompani, duke lidhur kontrata për kredi ose overdraft bankare, të cilat do të shkojnë në llogari të OSHEE nëse nuk paguhen faturat e dritave bashkë me detyrimet me këste.

Një tjetër skenar që po studiohet është edhe mbledhja te fatura e ujit si zë më vete e kostove të energjisë elektrike.

Aktualisht 5 nga ndërmarrjet më të mëdha të ujësjellësit kanë 62% të borxheve për faturat e energjisë.

Tv Klan