Reformimi i burgjeve, ministrja Gjonaj shpall garën për pozicionet drejtuese

Reformimi i burgjeve, ministrja Gjonaj shpall garën për pozicionet drejtuese

16:42 11/08/2019

Ashtu siç paralajmëroi pak ditë më parë gjatë një deklarate për shtyp ku tha se të gjithë drejtuesit e burgjeve do të kalojnë në një “sitë” kontrolli, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka urdhëruar menjëherë shpalljen e thirrjes për pozicionin “Drejtor në IEVP”.

Edhe pse ende nuk dihen konkretisht se cilët janë emrat e drejtorëve aktualë që do të shkarkohen nga ky proces verifikimi, informacionet e para bëjnë me dije se procesi është i ndërlidhur edhe me disa raste të hershme të konstatuara si shkelje nga drejtorët e Burgjeve.

Fakti që një sërë drejtorësh do të shkarkohen, vërtetohet pikërisht edhe nga vetë urdhëri i Gjonajt për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

“Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese”, paralajmëronte Gjonaj në deklaratën e datës 30 Korrik, nisur edhe nga veprimet e konsideruara abuzive të ish-drejtorit të Lushnjës.

Ky reformim konfirmohet edhe nga deklaratat e bëra disa javë më parë ku Gjonaj, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, prezantoi Masterplanin e Sistemit Penitenciar.

Në prani të ambasadorit të Britanisë, z. Duncan Norman, kryetares së zyrës së Tiranës për Këshillin e Evropës, znj. Jutta Gotzow, dhe përfaqësuesve të Organizatave Ndërkombëtare dhe vendase, Gjonaj garantoi se procesi i përzgjedhjes do të jetë po aq dinjitoz sa ai i rekrutimit të efektivëve në burgje, garë e cila u përshëndet gjerësisht për formën se si u ndërtua dhe rezultatet meritokratike që pasqyruan integritet, moral dhe profesionalizëm.

Vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ për të garantuar siguri si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT