Fryma optimiste për zgjidhjen e krizës së emigrantëve pas samitit të Brukselit ka nisur të zbehet shpejt. Plani për ngritjen në vendet e origjinës të kampeve të përzgjedhjes të azilkërkuesve ka marrë refuzimin e parë nga Egjipti. Kryeparlamentari Ali Abdel Aal tha në një intervistë për shtypin gjerman se Egjipti nuk ka më kapacitete për të pritur të tjerë emigrantë.

Sipas tij, vendi strehon 10 milionë refugjatë të larguar nga konfliktet në Siri, Irak, Palestinë, Jemen, etj. Përpara samitit, projektet e kampeve të azilantëve u refuzuan edhe nga Maroku, Tunizia dhe Algjeria.

Ne Itali, krisjet e para po shfaqen për shkak të krizës së refugjatëve, mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Kreu i dhomës së deputetëve Roberto Fiko i Lëvizjes 5 Yjet kritikoi ministrin e Brendshëm Mateo Salvini për mbylljen e porteve të anijet që shpëtojnë në Mesdhe emigrantët. Sipas tij, përpara të gjithave nevojitet humanizëm. Mosmarrëveshjet se kush duhet t’i strehojë, të zgjidhen pasi të shpëtohen jetë.

Re të zeza edhe mbi koalicionin qeveritar në Berlin. Kancelarja Merkel nuk ka asnjë zgjidhje për t’i paraqitur aleatit të saj, socialkristianit Zehofer në takimin e darkës pas samitit të Brukselit. Plani për rishpërndarjen e emigrantëve mbi baza vullnetare është refuzuar që në fillim nga Hungaria, Çekia, Sllovakia e Polonia. Ndaj dhe Zehofer, si ministër i Brendshëm paralajmëron se do të vazhdojë me planin e tij për mbylljen e kufijve përkundër vullnetit të Merkelit, çka mund të çojë në rrëzimin e qeverisë së saj.

Tv Klan