Për herë të parë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lalla, ka komentuar arsyet e refuzimit të vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për drejtuesin e Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjana. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Llalla tha se Ambasada dyshoi se Gjana mund të mos kthehej më në Shqipëri.

Kryeprokurori u pyet se çdo të thotë kjo për imazhin e organtit të akuzës, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një drejtues të rëndësishëm të saj.

Kryeprokurori hodhi poshtë lajmet se në Shtetet e Bashkuara do të takohej edhe me përfaqësues të FBI apo DEA. Ai tha se do të merrte pjesë në një konferencë, ku edhe kishte paguar për të qenë i pranishëm.

Llalla tha se ndjek me vëmendje zhvillimet për Reformën në Drejtësi.

Përsa i përket luftës ndaj korrupsionit, ai tha se për këtë duhet një angazhim i të gjitha institucioneve ligjzbatuese duke shprehur gadishmërinë e Prokurorisë të vetëpastrohet për raste të tilla.

Sa u përket disa çështjeve të rëndësishme ende pa autor, si ajo e bankierit Artan Santo, kreu i organit të akuzës tha se është ende duke u hetuar.

Intervista e Plotë:

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla para se të ndalemi tek çështja e Reformës në Drejtësi, gjatë këtyre ditëve që ju keni qenë këtu në Uashington, ka patur në Shqipëri shumë spekullime lidhur me qëndrimin tuaj në Amerikë gjatë këtyre ditëve. U tha, duke iu referuar burimeve nga prokuroria, se do të takoheshit me zyrtarë të FBI-së dhe të DEA-s. Një njoftim që u përgënjeshtrua shumë shpejt nga zyrtarë amerikanë. A mund të na sqaroni se cili është qëllimi i këtij qëndrimi këto ditë këtu në Uashington?

Adriatik Llalla: Këto ditë ndodhem në Uashington për të marr pjesë në një konferencë ndërkombëtare, për marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën penale. Është një temë e rëndësishme për të cilën Shqipëria, institucionet shqiptare vlerësojnë se është tepër e domosdoshme forcimi i marrëdhënieve me institucionet e tjera homologe ndërkombëtare për të cilën ne kemi punuar prej disa vitesh dhe me mjaft prej këtyre shteteve kemi arritur të kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale, shumë marrëveshje të ndryshme janë ratifikuar ose priten për t’u ndryshuar për të risjell risitë e reja mbas ndryshimeve të legjislacionit shqiptar mbas viteve 1990, një ndër të cilat është edhe marrëveshja e ekstradimit që ka qënë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nënshkruar që në 1 mars të vitit 1933, marrëveshje për të cilën po punohet për t’u riparë për shkak të ndryshimeve që ka pësuar ligji shqiptar. Lidhur me njoftimin që përmendët, të bërë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se ky është një spekullim pasi nuk mendoj se ka nga zyra ime të ketë dal informacion se unë këtu kam qënë i ftuar për të vizituar FBI-në apo DEA-n.

Zëri i Amerikës: Këtu unë i referohem gjithmonë shtypit shqiptar i cili kur nxorri njoftimin tha se burimi ishte zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, por ajo është – e kuptoj që mund të jetë spekullim.

Adriatik Llalla: Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është transparente, çdo njoftim që lidhet me veprimet e mia, me zyrën e Prokurorisë, nxirren në faqen tonë.

Zëri i Amerikës: Po në faqen tuaj të internetit nuk ka asnjë njoftim për këtë pjesëmarrje. Kjo është e saktë. Konferenca në të cilën po merrni pjesë ju, në qoftëse jam i saktë, quhet takimi vjetor i Shoqatës Amerikane për Ligjin Ndërkombëtar.

Adriatik Llalla: Po

Zëri i Amerikës: Është një takim vjetor i kësaj shoqate, konferencë prestigjoze, në të marrin pjesë me mijëra vetë. Konferenca është me pagesë. Dua t’u pyes për të qënë transparent deri në fund me publikun – pjesëmarrja juaj atje është si Adriatik Llalla person juridik privat, duke qënë prokuror, jurist, apo është si Adriatik Llalla si kryeprokuror i Shqipërisë që shkon në këtë konferencë dhe e lidhur me këtë pyetje është kush i përballon kostot financiare të pjesëmarrjes suaj, shteti apo ju vetë?

Adriatik Llalla: Unë jam anëtar i kësaj shoqate dhe normalisht sic e përmendët dhe ju krahas ardhjes personalisht paguhet edhe një tarifë përkatëse që shkon rreth 500 dollarë për të qënë i pranishëm në këtë aktivitet.

Zëri i Amerikës: Një tjetër element që lidhej në Shqipëri me vizitën tuaj këtej ka qënë ajo e prokurorit të Durrësit. U tha në shtypin shqiptar që ai nuk arriti të merrte dot vizën për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe dua t’i referohem përsëri njoftimit që u dha nga zyrtarët amerikanë në Shqipëri se mohimi i vizave për zyrtarët e korruptuar përfshin edhe prokurorinë dhe është një proces që po vazhdon. Si është historia e këtij zyrtari të lartë shqiptar që nuk arriti të merrte vizën për të ardhur këtu?

Adriatik Llalla: Është një cështje për të cilën vlerësoj se duhet t’i përgjigjem. Rasti konkret, prokurori i Durrësit ishte parashikuar të ishte pjesë e delegacionit tim sot këtu në Uashington, viza për të cilin nuk u dha në kohën e duhur nga ambasada amerikane ose më pas u dha dhe u kancelua për shkaqe që tashmë të bëra publike. Fillimisht ambasada njoftoi se nuk e ka dhënë vizën për shkak se dokumentacioni nuk ka qënë i plotë dhe njëherazi duke u shprehur se rasti konkret nuk ishte besimi i plotë se prokurori do të kthehej sërisht në Shqipëri. Ky është njoftimi që ambasada i ka përcjell personalisht prokurorit.

Zëri i Amerikës: E qartë. A përbën një lëvizje e tillë për një zyrtar kaq të lartë të sistemi të drejtësisë në Shqipëri, prokurori i një rrethi si Durrësi që është një nga rrethet më të mëdhaja në Shqipëri, a përbën kjo shqetësim për ju e futur në kontekstin e komenteve të mëparshme që ka bërë ambasada amerikane lidhur me pengesat, vështirësitë që mund t’u krijoj zyrtarëve shqiparë që mund të ketë dyshime se janë të lidhur me korrupsion? Pra a përbën kjo një lloj indikacioni për ju që mund të thelloni ndonjë hetim apo mund ta shqyrtoni këtë rast më në thellësi sesa ta lini thjesht si një qytetar i zakonshëm që shkon në ambasadë nuk merr dot vizën dhe kthehet i pakënaqur në shtëpi?

Adriatik Llalla: Në se do të kishim informacione më të plota për arsyet normalisht do ta shifnim sic kemi parë me dhjetra raste të tjera që kemi pasur dhe verifikuar. Dua të theksoj faktin se prokuroria ka qënë institucioni i cili është angazhuar maksimalisht për të pastruar radhët e veta nga elementët problematik shkelës të ligjit. Vetëm pak muaj më parë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, ne kishim filluar hetimet dhe arritëm në arrestimet e dy prokurorëve, pjesë e trupës sonë të prokurorisë shqiptare që tashmë janë në proces të gjykimeve në Shqipëri, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit dhe për vepra të tjera për të cilët ata ishin implikuar. Me këtë dua të them që institucioni ynë është plotësisht i angazhuar me të gjitha format për të hetuar së pari radhët tona e më pas këdo tjetër që shkel ligjin.

Zëri i Amerikës/Tv Klan