Maqo Lakrori është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe një nga hartuesit e porgramit të saj. Më 26 Shtator 2009, Lakrori do të garojë me kryetarin e PS Edi Rama për postin e kreut të kësaj partie.

Maqo Lakrori ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, nga ku pohoi se e ka refuzuar një herë postin e kryetarit të PS në vitin 1991, duke u shprehur: “Unë në atë kohë isha kthyer nga studimet e gjata në Francë dhe kisha paraqitur një platformë, të ndryshme nga ajo që vinte nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia më ftoi të drejtoj partinë në Kongresin që po përgatitej për shpalljen e saj. Unë e refuzova sepse isha, sikurse jam edhe sot, që do të duhej një drejtim në ekip. Gjithsesi ka nevojë për një drejtues, por unë mendoja që dikush që i njihte më mirë strukturat partiake do  të mund ta bëntë atë punë. Refuzova duke qenë gjithmonë pjesë e ekipit drejtues. Për mua s’ishte ambicie një pushtet individual, por që të transformohej kjo forcë politike dhe vendi ynë të modernizohej”.    

Për Lakrorin nuk ka rëndësi përfaqësimi i tij në forume, pasi gjithmonë i ka parashtruar qëndrimet e tij në Asamblenë Kombëtare. Përsa i përket vendimit për të kandiduar në këto zgjedhje për kreun e Partisë Socialiste, Maqo Lakrori shpjegoi: “Vendosa të kandidoj duke parë ecurinë e partisë në këto vitet e fundit, duke vlerësuar atë mesazh që dha populli më 28 Qershor dhe duke menduar për të ardhmen. Sot kemi një situatë krejt tjetër nga ajo e themelimit të partisë në vitin 1991. Programi dhe kushtetuta e brendshme e PS ka nevojë për një reformim të thellë. Për t’i qëndruar besnik atyre vlerave bazë, mbi të cilat u krijua dhe vazhdon të funksionojë PS, mendova që të paraqitem me një projekt politik dhe të konkurroj për këtë detyrë, me qëllim që nëpërmjet institucionit të kryetarit të mund të ndikoj në zbatimin e kësaj platforme”./tvklan.al