Shkrimtari, dramaturgu dhe regjisori Pëllumb Kulla tregoi pasditen e së shtunës në emisionin “Rudina”, në Tv Klan edhe një takim të shkurtër me diktatorin Enver Hoxha. Megjithëse takimi ishte tepër i shkurtër teksa Kulla po punonte në “Uzinën Enver”, ai qe i mjaftueshëm t’i ndryshonte rrjedhën e jetës.

Rudina: Zoti Pëllumb, di që për hir të një njolle që ju keni pasur në biografi, nuk ju jepej e drejta për të studiuar në Akademinë e Arteve dhe keni pasur kurajën të shkoni tek udhëheqësi i asaj kohe?

Pëllumb Kulla: Ai pati kurajën dhe erdhi afër makinës ku punoja unë (qesh).

Rudina: Si ka ndodhur historia?

Pëllumb Kulla: Unë dhashë prova në shkollën e lartë për aktor dhe nuk u pranova. U ankova natyrisht. Isha në një kurs me Robert Ndrenikën, Shpëtim Shmilin. Edhe ata nuk fituan. Unë nuk fitova për shkak të biografisë, kisha gjyshin e pushkatuar në vitin 1945. Pasi mu tha kjo e vërtetë mu desh ta zgjidhja dhe rasti e desh që Enver Hoxha të kalonte në “Uzinën Enver” pranë makinës metalprerëse ku punoja unë, në një shoqërim që i bënë. Ata për të parë një repart të ri. Edhe unë ngrita dorën dhe e ndalova dhe ai ndaloi e u soll shumë mirë me mua. Më priti me shumë ngrohtësi. Unë i thashë nuk po hyj dot në shkollë për shkak të biografisë. Ai më tha të hysh patjetër. Si e quajnë të pushkatuarin, gjyshi im i cili nuk ishte ndonjë eksponent i rëndësishëm, por kjo është një temë tjetër. Shkurt hesapi më tha se ti je rritur në vitet e pushtetit tonë popullor dhe ti do të hysh patjetër dhe kjo u realizua dhe unë i jam mirënjohës sado që mund të kem shkruar me dhjetëra artikuj duke përmendur mizoritë diktaturës etj, por mua ma bëri këtë, e theu vijën e vijën e partisë, të luftës së klasave, por nuk e theu për asnjërin për vëllezërit e mi, motrën time dhe kushërinjtë e mi deri në rendin e katërt, por unë isha me fat. /tvklan.al