Për t’i mbajtur larg nga institucionet e edukimit të të miturve

Ngjarja më e fundit e dhunës seksuale ndaj një 15-vjeçare, ka bërë që shoqëria civile dhe Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve të kërkojë miratimin e Regjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale ndaj Fëmijëve.

Kjo kërkesë e përsëritur i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë ka nisur edhe mbledhja e firmave online për ngritjen e Regjistrit Kombëtar i Abuzuesve seksualë ndaj fëmijëve.

Sepse për ekspertët, ky është një  mjet për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët apo çdo person që mund të shfrytëzojë seksualisht fëmijën. Ai duhet të menaxhohet dhe mirëmbahet nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila mbahen të dhëna të vazhdueshme të deklaruara nga vetë i dënuari në lidhje me rezidencën dhe vendndodhjen apo lëvizjet e personit.

Ndër të tjera CRCA, e cila po merret me rastin e abuzimit të 15-vjeçares ngre shqetësimin se ka marrë ankesa nga persona që banojnë në lagjen ku jetonte viktima e dhunës seksuale, të cilat akuzojnë trupën drejtuese të shkollës, për përfshirje në dhunën seksuale të vajzave të tjera të mitura në këtë shkollë.  

Nisur nga kjo, ata i kërkojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që të vendosin nën hetim edhe Ministren e Arsimit, Besa Shahini, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Krimet seksuale përbëjnë një ndër krimet dhe shkeljet më të rënda të fëmijëve. Ndaj janë institucionet publike ato që kanë për detyrë të mbrojnë fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Vetëm gjatë viti 2019 deri më sot në Shqipëri ka patur 55 fëmijë të dhunuar dhe ngacmuar seksualisht në ambientet e tyre të shkollës dhe shtëpisë.

Klan Plus