Sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar deputetja Erisa Xhixho për të treguar më tepër mbi një projektligj të ri i cili do t’u mundësojë organeve ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat e tyre personale.

Vetëm pak ditë më parë 8- vjeçari Mateo Vasiu u vra brutalisht nga 38- vjeçari Klodian Çalamani i cili është dënuar më parë për pengmarrje.

Po ashtu disa javë më parë ka qenë rasti i fundit në Kamzë ku babai kishte dhunuar vajzën e tij 6-vjecare, duke i dëmtuar organet jetësore. Në një tjetër rast në Jug të vendit u përdhunua një vajzë 12- vjeçare.

Një vajzë 15-vjeçare ishte kërcënuar dhe abuzuar seksualisht nga Abaz Doku 65 vjeç në gjimnazin e Babrrusë, ku ai ishte roje i shkollës.

Pavarësisht rasteve të shumta të abuzimit seksual me fëmijët, sidomos vajzat, akoma nuk ka një ligj i cili do t’i monitorojë dhe t’i ndalojë këto persona të arrestuar për krime seksuale të punojnë në ambiente ku ka gra dhe fëmijë.

Ky është dhe shqetësimi i deputetes Erisa Xhixho, e cila në studion e Rudinës tha se projektligji është iniciuar për herë të parë në vitin 2013, por ende sot e kësaj dite nuk është avancuar me miratimin e tij.

Në kuadër të muajit “Nëntorit Blu” kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe grave, deputetja Xhixho ka paraqitur në Kuvend pr/ligjin “Regjistri i Krimeve Seksuale”, që synon të parandalojë punësimin e personave të dënuar për krime seksuale në ambiente me fëmijë dhe gra. Një projektligj i tillë ekziston prej vitesh në shumë shtete të Bashkimit Europian, ndërsa në rajonin tonë, si në Maqedoni, është në fuqi Regjistri i Krimeve Seksuale.

“Ky ligj ka si synim parandalimin e fenomenit e krimeve seksuale, ç’ka do të thotë eksperiencë e vendeve të huaja. Maqedonia e Veriut e ka një regjistër të tillë, Britania e Madhe ka 25 vjet që e ka një regjistër të tillë. Mos të flas për Zvicrën, për SHBA, për Francën. Është konsultuar shumë gjerësisht nga CRCA ligji përkatës.

Janë marrë eksperiencat e Britanisë, edhe e Francës kryesisht, pra të Bashkimit Europian. Dhe nga ana tjetër ky si projekt-ide ka që në 2013, pra jemi shunë të vonuar. E rëndësishme është që ky proces ka filluar në 2019- 2020, ky projektligj është konsultuar me mbi 1000 persona, është konsultuar me juristë dhe ekspertë shumë të mirë”, u shpreh Erisa Xhixho. /tvklan.al