Repishti: Procesi i lehtë. Eliminon radhët dhe dokumentet e panevojshme

Prej 15 Qershorit regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë bëhet vetëm online në bashkitë kryesore të 12 qarqeve të vendit. Sipas drejtoreshës së portalit e-Albania, Nevila Repishti, deri më tani procesi i regjistrimit po shkon mjaft mirë dhe ka patur mjaft aplikime.

Procesi i regjistrimit bëhet vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania në 182 shkolla publike të 12 qarqeve në Republikën e Shqipërisë. Ky proces ka nisur në datën 15 Qershor. Deri tani numërohen mbi 3000 aplikime të bëra për regjistrime në klasë të parë. Procesi i regjistrimit në klasë të parë elektronikisht nëpërmjet e-Albania është shumë i thjeshtë, nuk zgjat më shumë se një minutë”.

Ndër të tjera Repishti sqaron dhe procedurën që duhet ndjekur duke theksuar se me rëndësi është plotësimi i saktë i adresës, duke mos patur nevojë për dokumente shtesë.

Të vetmet të dhëna që duhet të saktësohen nga çdo person që ushtron përgjegjësinë prindërore do të thotë që është prindi ose kujdestari ligjor që mund të plotësojë formularin e regjistrimit online nëpërmjet e-Albania, janë adresa e saktë e vendbanimit e personit që kryen aplikimin, bashkia, njësia administrative, rruga dhe më pas përzgjedhja e institucionit arsimor sipas listës që sugjerohet automatikisht nga sistemi, i cili bën ndërlidhjen e adresës së vendbanimit me institucionet përkatëse që mbulon zonën e vendbanimit. Falë e-Albania nuk ka nevojë për mbledhjen e dokumenteve nga njëri institucion te tjetri”.

Procesi i regjistrimit online në e-Albania do të jetë i hapur deri më 30 Qershor dhe në javën e parë të Korrikut dalin edhe listat e pranimit për në shkollë. Në rastet që prindërit nuk do të mund t’i regjistrojnë fëmijët përmes këtij modeli të ri, ateherë do të jetë Ministria e Arsimit që do të ndërhyjë.

Klan News