Regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut përfundon në fund të vitit



Regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut përfundon në fund të vitit

16:01 27/06/2020

Lame: Do të regjistrojmë prona të pastra, përfitojnë edhe ata me “AMTP”

“Ne jemi magazina e pronave nuk jemi gjykata e pronave. Ne regjistrojmë atë pronë që është e pastër nga pikëpamje ligjore”.

Me këto fjalë i drejtohet kreu i Agjencisë së Kadastrës banorëve të zonave bregdetare në jug. Prej muajsh në 8 njësi kadatrale po punohet për të bërë regjistrimin fillestar të pronave, një proces i cili ka nisur dy herë dhe është lënë në mes, duke mbajtur peng për 3 dekada zhvillimin e zonës turistike.

“Qytetarët në shumë raste mund të kenë mosbesim. Pra e nisët dy herë dhe e keni lënë në mes, na keni gënjyer dy herë. Ne aktualisht po lajmë gjynahet e tre dekadave”.

Janë hapur 3 zyra, në Himarë, Dhërmi dhe Lukovë. Të gjithë ata që pretendojnë se kanë tokë  ose shtëpi në pjesën e bashkisë së Himarës duhet të çojnë dokumentet për të regjistruar pronën e tyre. Kadastra do të regjistrojë vendime gjykatash, prona të ndara me ligjin 7501, prona me certifikatë por që nuk janë hedhur në sistem, ndërsa aktualisht specialistët e Kadastrës po bëjnë matjet në terren.

“Për këto muaj, kisha e xhamia duhet të jetë zyra jonë”.

Kadastra nuk do të regjistrojë prona të kontestuara apo vendime që datojnë në periudhën e mbretit Zog.

“Ato të kohës së Zogut kalojnë përmes Agjencisë së Kthimit të Pronave. Nuk do të regjistrohen dot për fat të keq ato mbivendosje pronash, të cilat nuk do të arrijnë dot të merren vesh me njëri-tjetrin”.

Pas dorëzimit të dokumenteve, harta e re me pronat e secilit do të publikohet për 3 muaj në zyrat vendore për të marrë ankesat e pronarëve dhe procesi për regjistrimin e 8 zonave në bregdet pritet të përfundojë në fund të vitit, por kjo nuk do të përjashtojë mundësinë për regjistrim të pronarëve që do të vijnë më vonë për certifikimin e pronës.

Tv Klan




Të ngjashme