Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në fund të kësaj jave pritet të përfundojë regjistrimi i konkurrentëve për shkollat e larta. Në vitet e para të fakulteteve sivjet do të jenë mbi një mijë studentë më tepër sesa vjet. Për mbi 7100 vende deri tani janë regjistruar rreth 10 mijë kandidatë, por në ditët që vijnë pritet që numri të shkojë në 16 mijë.

Ashtu si vitet e tjera edhe këtë herë do të shpërndahet një test, ku 60% të pikëve e zë formimi i përgjithshëm, ndërsa 40% janë njohuri profesionale. Për procedurat e konkurrimit drejtori i arsimit të lartë Edmond Hadëri shpjegon.   

Edmond Hadëri:- “E reja në degët që vihen në dispozicion të konkurruesve është se për këtë vit hapet për herë të parë një kurs i ri studimi, që është ai i shkencave politike me rreth 26 vende. Kjo është një diplomë e re e cila hap një horizont të ri dhe për njerëzit që do të diplomohen, për mundësitë e punësimit të tyre në institucione dhe jashtë tyre. Përderisa ka një masë njerëzish që duan të hyjnë me pagesë, përse këto potenciale ekonomike të mos vihen në dispozicion të shkollave të larta”.

Për ata që nuk fitojnë konkursin edhe sivjet ofrohet mundësia e shkollës me pagesë. Tarifat varjojnë nga 100 mijë lekë deri në 300 mijë në vit. Vjet në të gjitha universitetet e vendit kanë qenë rreth 500 student me pagesë. Mësohet se 10% e këtyre parave shkojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër përdoret nga fakultetet për nevojat e tyre./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti