Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të organizatës botërore “Reporterët pa Kufij”, që e rendisin Shqipërinë 7 vende më poshtë sa i përket lirisë së mediave.

Përmes një reagimi dërguar mediave, Presidenti thotë se kjo është një këmbanë alarmi dhe ka apelur që dhunuesit e përfaqësuesve të medias të dalin para përgjegjësisë.

Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.

Angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.

Neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj.

Liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit.

Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.

Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik”,

shprehet Presidenti Ilir Meta.

/tvklan.al