Veliaj: “Rrugët në shkollat dhe kopshtet e Tiranës më të sigurta për fëmijët”

Hapësirat rreth e rrotull shkollave “Gustav Mayer” dhe “Naim Frashëri”, por edhe çerdhes 17 dhe kopshtit 26 në Tiranë, janë më të sigurta për fëmijët pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e infrastrukturës dhe krijimin e mjediseve rekreative. Kjo nismë e realizuar “Asphalt Art Initiative” nga “Bloomberg Philanthropies”, partnerë të qytetit të Tiranës në zbatimin e kësaj vepre masive arti, ka shndërruar afro 1500 metra katrorë hapësirë të keqpërdorur, apo të mbingarkuar me automjete të rastit, në një mjedis që inkurajon lëvizjen aktive, pa pengesa e ndërprerje, të këmbësoreve në këtë zonë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se përmes kësaj nisme synohet që Tirana të ketë rrugë dhe hapësira më të sigurta, sidomos për fëmijët gjatë aksesit të tyre në shkolla e kopshte. “Ka shumë njerëz që thonë, ‘sot është ditë me shi, le të marrim makinën’! Por, makina nuk është çadër. Nëse distanca është vetëm 100-200 metra, është më mirë të marrim çadrën, jo makinën. Fakti që ky komunitet, më shumë se transformimi i asfaltit dhe rrugës, ka transformuar mentalitetin, është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Çfarë është më e rëndësishme: “Fëmija apo makina? Një makinë nuk mërzitet nëse e parkon në bllokun tjetër, ama një fëmijë, i cili humbet orën e parë të mësimit, po”, u shpreh Veliaj.


Ai tha se me këtë ndërhyrje shkon në 10 numri i shkollave që kanë rrugë më të sigurta, por kjo do të vijojë edhe më një buqetë tjetër shkollash. “Kur funksionon në një komunitet si ky, që është zhvilluar me ndërtesa moderne, me institucione shtetërore, me disa të tjera informale, që kanë dalë mbi trotuar, kur funksionon në një vend që është pasqyra tipike e tranzicionit të këtyre viteve, do të thotë se njerëzit janë mendërisht gati ta pranojnë ndryshimin shumë më shpejt se disa vite më parë. Besoj se për paketën e 10 shkollave të tjera do të jetë pak më kollaj. Kur shikoj si përqafohet një ndryshim gjithmonë e më shpejt, gjithmonë e më kollaj, kur bashkëpunon edhe komunitetin, më bën shpresëplotë që do e kemi më thjeshtë. Në shkollat e reja është paramenduar që në fillim brezi i sigurisë,” deklaroi më tej ai.

Sipas tij, kjo u jep më shumë siguri edhe prindërve, për atë që konsiderohet perimetri i sigurisë në shkollat publike. “Unë besoj se me një perimetër të institucioneve mbrojmë shkollën, hapësirat janë më të sigurta, dhe kështu kemi krijuar një shtresë sigurie, ku fëmijët janë pjesë e një ekosistemi që në momentin që hyjnë në një territor më të sigurt”.

“Donim vërtet t’jua tregonim në një ditë me shi si kjo e sotmja, sepse ditët me shi janë ditët më të rrezikshme për fëmijët. Hapësira që kemi shtuar këtu përballë shkollës e ndryshon vërtet mëngjesin gjatë mbërritjes në shkollë dhe largimin e fëmijëve nga shkolla. Fakt është që çdo shkollë dhe qytet meriton një nga këto rrugë dhe ne jemi në rrugën e duhur për ta arrirë këtë. E përsëris, faleminderit për gjithë mbështetjen e treguar nga ana e qytetit. Kjo punë kërkon goxha njerëz që e gjitha të bëhet bashkë. Rezultatet janë shumë të qarta për këdo. Jemi shumë të lumtur të ecim përpara,” tha Drejtuesi i Qendrës Marrëdhënie, Simon Battisti.

Këto 4 institucione i bashkohen 6 të tjerave që janë realizuar vitin e shkuar dhe paraprijnë të paktën 20 shkolla që do të transformohen në vitin në vijim.