Me 1 milion Euro 3.5 km e aksit Gjirokastër Lazarat do të rehabilitohen  si pjesë e projektit të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore. Drejtori i autoritetit rrugor Afrim Qendro që inspektoi punimet premton se punimet do të mbyllen brenda këtij viti.

“Duke filluar nga rrethrrotullimi i ashtuquajtur i Lagjes Punërore deri në fundin e fshatit Lazarat ku bëhet dhe lidhja me pjesën e rrugës së re. Është një rehabilitim që i ka të gjithë elementët, paketën e shtresave, tumbinot, kanalet dhe veprën në të cilën ne ndodhemi, një tumbino e madhe e cila ka qenë shumë problematike në funksionimin e aksit. Është një investim gati 1 milion euro në këtë projekt dhe ne mendojmë se edhe sipas grafikut të punimeve, brenda Dhjetorit ta kemi të mbyllur këtë vepër dhe ky aks i rëndësishëm i korridorit veri-jug të jetë në standard”.

Si pjesë e projektit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen me performancë është parashikuar dhe ndërhyrja në 2 akse të tjera Shkodër Murriqan dhe Lezhë- Shëngjin. ARRSH dhe policia e shtetit lajmërojnë frekuentuesit e kësaj rruge se punimet që do të nisin të hënën e 10 Shtatorit do të bëjnë të detyrueshëm devijimin e lëvizjes së automjeteve.

Gjatë ditës së hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë – Shëngjin në të dy sensent e lëvizjes në vendin e quajtur Kënalle ku edhe do të kryhet ndërhyrja. Lëvizja e të gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin do të devijohet majtas në Knallë në askin rrugor Kënallë – Kunë. Ndërsa drejtuesit e mjeteve në drejtimin nga Shëngjini në Lezhë duhet të devijohen djathtas në askin rrugor Kënallë – Kunë.

Tv Klan