Veliaj: Investime të tilla do shtrihen në çdo zonë të kryeqytetit
Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e bllokut të banimit në zonën e Laprakës në Njësinë 11, e populluar me pallate të vjetra dhe banesa private. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili deklaroi se ky është një projekt i jashtëzakonshëm për komunitetin e zonës.
“Më vjen mirë që po e mbajmë fjalën sot. Po pastrohen të gjithë çibanët, po rregullohen sheshet. Më në fund kemi trotuarë në një zonë e cila kishte dalë jashtë kontrollit. Ndër vite ishin toleruar disa gjëra që nuk duhej të toleroheshin: zaptimi i shesheve të pallateve, zaptimi i xhepave të vegjël e lulishteve, zaptimi i këndeve të lodrave. Me skemën e re, me stolat, me lulet, me këndet e lodrave, me xhepat mes pallateve, i kthehet jeta komunitetit. Më vjen mirë që pjesa më e madhe e banorëve ka qenë bashkëpunues, edhe dikush tjetër që mund të ketë ndërtuar ndonjë mur apo ndonjë lidhje të vogël pa leje do të duhet që të na mirëkuptojë.”
Veliaj tha se përmirësimi i infrastrukturës dhe rehabilitimi i fasadave të pallateve, përmes “Fondit të Komunitetit”, po rrit vlerën e pronave.
“Në momentin kur cilësia e rrugës, ndriçimi led, infrastruktura e futur nën tokë përkon edhe me pallatet që janë estetikisht të pranueshme, unë besoj se rritet vlera e gjithë komunitetit. Njerëzit këtu vijnë nga të gjitha cepat e Shqipërisë dhe kanë mësuar bashkëjetesën, që pavarësisht nga vijnë, pavarësisht si i kemi kushtet, do të duhet të bashkëjetojmë dhe të punojmë për të mirën e komunitetit. Më vjen mirë që e mbajmë këtë premtim! Do të doja shumë, edhe në bashkëpunim me banorët, të rregullojmë çështjen e parkimit të rezidentëve, që sigurisht është faza e dytë, mbasi firma të mbarojë punën.”
Punimet parashikojnë shtrimin e të gjitha rrugicave brenda zonës së Laprakës, si dhe rrjetin e kanalizimeve, por do të lehtësohet edhe qarkullimi i mjeteve te Spitali i Traumës.
Klan News