Veliaj: Fokusi te rrugët që lidhin periferitë me qendrën

Blloku i banimit në Rr. “Nikollë Mekjashi” në Njësinë 1 po i nënshtrohet rehabilitimit. Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet mirënjohës për bashkëpunimin me qytetarët sa i përket realizimit të punimeve.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Kemi marrë një dakordësi të jashtëzakonshme nga komuniteti këtu, për t’u tërhequr nga gardhi. E kuptoj se kur tërhiqesh një metër, oborri të del më i ngushtë, por ama ke fituar një trotuar. Ndaj, besoj se vendimi i qytetarëve për t’iu bashkuar bashkisë, është një shembull për të gjithë të tjerët. Ku vjen bashkia, vjen civilizimi, vjen urbanizimi.

Erion Veliaj thotë se gjatë këtij 4-vjeçari do të investohet në të gjitha akset lidhëse të periferisë me Unazën e Madhe të Tiranës.

Erion Veliaj: E kemi bërë shumë të qartë: Në këtë mandat fokusi do të jetë te rrugët që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës, përfshirë të gjitha zonat kufitare ku kalon Unaza e Madhe, në Astir, Farkë apo Shkozë.

Vitin tjetër, sipas Veliajt, do të vijojë puna me një paketë tjetër investimesh.

Erion Veliaj: Plani për këtë mandat është të mos presim deri në fund për të mbajtur premtimin, por që pa mbaruar kjo stinë dhe ky vit, një pjesë të madhe të investimeve t’i kemi në proces, në mënyrë që vitin tjetër të fillojmë me një paketë tjetër.

Të tilla investime sipas Bashkisë së Tiranës po rrisin vlerën e pronës në kryeqytet.

Tv Klan