Veliaj: “Ky është mandati i çdo blloku pallatesh dhe i çdo rrugice të Tiranës”

Bashkia e Tiranës vijon punën për rehabilitimin e bllokut urban në afërsi të ish-fabrikës së Qelqit në Kombinat. Punimet në këtë zonë janë inspektuar nga krybashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se përveç asfaltimit të rrugëve, Bashkia do të ndërhyjë edhe në rrjetin e kanalizimeve.

“Ka qenë një nga ato projekte ku vërtetë është kuptuar thelbi i arsyes pse i bëjmë këto urbanizime. Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm më banorët. E gjitha bëhet për një qëllim të mirë. I rritet vlera gjithë zonës. Në momentin që ka asfalt në momentin që ka trotuar, barriera, gjelbërim, ndriçim, në momentin që ujrat e zeza e të bardha nuk bëhen lëmsh po ka kanalizime, kështu që në këtë sens vërtet po bëjmë diçka.”

Duke theksuar mbështetjen me votë që kjo zonë i dha PS në zgjedhjet e 14 Majit, Veliaj tha se punimet në këtë bllok urban janë një premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës.

“Na dhanë një besim të jashtëzakonshëm dhe ky besim nuk shlyhet me falenderime dhe fjalime, por shlyhet me punë konkrete. Me asfalt, me trotuare, me gjelbërim, ndriçim, kanalizime. Ndaj ne e kemi filluar këtë kantier fill pas zgjedhjeve, për të treguar se nuk do presim katër vjet për të mbajtur premtimet.”

Punimet për rehabilitimin e bllokut urban në afërsi të ish-Fabrikës së Qelqit priten të mbarojnë pas dy muajve. Ndërkohë Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se mandati i tij i tretë do i përkushtohet rregullimit të çdo blloku pallatesh dhe rrugëve të kryeqytetit.

Klan News