Veliaj inspekton përfundimin e punimeve

Rehabilitimi më i fundit në kryeqytet u bë në rrugën “Sotir Peçi” që lidh bllokun e ambasadave me rrugën e Durrësit. Erion Veliaj ishte aty për të inspektuar përfundimin e punimeve.

“Kemi punuar në të gjithë Tiranën në akset kryesore. Po punohet tek “Rruga e Kavajës” me korsinë e biçikletave, kemi punuar me “Rrugën e Durrësit” me pjesën e nëntokës, por ajo që vëmë re është se kemi disa xhepa të vegjël mes lagjeve, të cilat nuk janë prekur nga ky ndryshim. Rruga “Sotir Peçi” është një prej tyre, pra në anën tjetër kemi “Rrugën e Durrësit”, që është aksi tregtar kryesor i Tiranës, ndërkohë sapo kalon rrugën midis bllokut të ambasadave, kemi këto xhepa. Ndaj, jam i lumtur që kemi shfrytëzuar verën, por edhe fondet e mbetura nga buxheti, për këto projekte të vogla nëpër lagje”.

Gjatë verës, Bashkia Tiranë po punon për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve edukuese.

“Do të vazhdojmë të punojmë gjatë gjithë verës për projektet që duhen mbyllur deri sa të kapim vitin e ri shkollor; kryesisht fokusin do ta kemi në kopshte, shkolla, çerdhe. Do të hapim disa shkolla të reja si “Servete Maçi” apo edhe shkollat ku kemi shtuar ambientet ose i kemi bërë nga e para. Si prind i ri, që do të çoj për herë të parë djalin në çerdhe këtë vit, është akoma më afër zemrës sime projekti i Tiranës për fëmijët, siç nuk ka qenë kurrë më përpara. Edhe këto 4 vite do shohim një fokus akoma edhe më të fortë te fëmijët”.

Fëmijët, tha Veliaj do të jenë fokusi i punës së tij në katër vitet e ardhshme.

Tv Klan