Fitorja me Moldavinë lehtësoi të gjithë te Kombëtarja, duke kthyer besimin dhe qetësinë. Golat e Cikalleshit dhe Ramadanit vendosën triumfin 2 – 0 në shtëpi dhe tani duhet punuar më shumë sipas trajnerit Edy Reja që të përmirësohemi në çdo aspekt.

Edy Reja, trajner i Kombëtares: Jam i lumtur përë këtë rezultat dhe pas kësaj uroj që të luhet më të qetë. Më parë ky ekip pësonte gol lehtësisht dhe nuk kishte rregull në aspektin mbrojtës. Në këtë pikë jemi përmirësuar, por tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë nga mesfusha e më tej. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë, por ne duhet të bëjmë punën tonë, pasi ndeshjet nuk nisin të humbura, duhet t’i luajmë.

Sokol Cikalleshi, i cili vetëm pak minuta pas hyrjes në fushë realizoi golin që zhbllokoi rezultatin medon se duhet ndjekur strategjia si në kualifikueset e Euro 2016 që sollën dhe pjesëmarrjen historike në një turne madhor.

Sokol Cikalleshi. futbollist i Kombëtares :Unë jam i mendimit që t’i marrim ndeshjet një e nga një, ashtu siç bëmë në eliminatoret e Europianit të kaluar ku u kualifikuam. E dimë që me Francën do të jetë e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mendon se Shqipëria mund të luajë shanset e saj pas kësaj fitoreje.

Armand Duka, President i FSHF-së :Mendoj që Franca është favorit kryesor, Turqia dhe Islanda pak më pak dhe Shqipëria afër tyre, por gjithsesi duhet të luftojmë deri në fund.

Në takimet e së martës Franca mundi lehtësisht 4 – 0 Andorrën, ndërsa Islanda fitoi 2 – 1 me Turqinë duke bërë që të tre ekipet të jenë me nga 9 pikë në krye të grupit H. Shqipëria renditet e katërta me  3 pikë më pak, çka e mban gjallë shpresën për kualifikim. Sfida e radhës do të luhet në transfertë me Francën në shtator.

Tv Klan