Pas një qëndrimi dyditor në Shqipëri për të organizuar me federatën grumbullimin e Qershorit, trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja ka udhëtuar mëngjesin e kësaj të diele për në Greqi. Në një komunikim me Tv Klan, ai pranoi se gjendet në Athinë. Reja do të ndjekë ndeshjen e së dielës Panathinaikos – Panetolikos.

Në të dy skuadrat luajnë futbollistë shqiptarë. Ergys Kace i Panathinaikos dhe Enea Mihaj do të përpiqen të japin më të mirën e tyre nëse do të jenë në formacion. Tekniku italian do të marrë informacion edhe mbi Migjen Bashën, i cili aktivizohet tek Aris.

Udhëtimi i tij në kryeqytetin grek vjen pasi ka lënë porositë në FSHF për disa prej futbollistëve që do të grumbullojë. Më pas ai ka vizituar qendrën stërvitore të kombëtares në Durrës për të parë bazën materiale tek e cila do të mbështetet për të zhvilluar seancat në përgatitje të ndeshjeve të qershorit. Më dt 8 kombëtarja do të luajë kundër Islandës në Reykyavik ndërsa më 11 do të presë Moldavinë në Elbasan arena.

Tv Klan