Reja ndryshon formacionin

Reja ndryshon formacionin

15:26 09/09/2019

Italiani: 5 lojtarë të tjerë kundër Islandës

Paraqitja e dobët me Francën e ka bërë të mendohet trajnerin e kombëtares Reja. Veçanërisht mbi formacionin titullar. Trajneri italian do të hedhë në fushë 5 lojtarë të tjerë, duke ndryshuar kështu thuajse gjysmën e formacionit. Por tekniku nuk do të ndryshojë rreshtimin dhe as filozofinë e lojës. Tekniku pohoi që për zgjedhjen e tij, Mavraj nuk do të jetë titullar.

“Formacioni 3-5-2 sepse të jep garanci edhe në fazë mbrojtëse edhe në atë sulmuese. Por do të ndryshoj 5 lojtarë. Është zgjedhje ime teknike, Dermaku do të jetë titullar në vend të Mavrajt. Do mundohemi që të jemi më ofensivë.”

Në ndeshjen kundër Francës tekniku tha se lojtarët nuk e zbatuan as skemën dhe as filozofinë e lojës duke u tërhequr. Ndërsa për Islandën ai shprehu bindjen se kjo nuk do të ndodhë dy herë radhazi.

“Kundërshtari është në lartësinë tonë. Jemi në gjendje t’i mundim. Jam i bindur sepse bindja vjen nga mendja nëse jemi të përqendruar dhe të bindur për sukses, atëherë do t’ia dalim. Unë mendoj se djemtë janë gati për të përballuar ndeshjen e nesërme dhe besoj shumë te fitorja. Ka shumë rëndësi që në fushë të zbresim me bindjen se mund ta mposhtim kundërshtarin.”

Elseid Hysaj që do të jetë kapiten në ndeshjen ndaj Islandës është në të njëjtën linjë me trajnerin edhe pse në fushë do të shohim një tjetër-11-she nga ajo që pamë me Francën.

“Askush nuk ka nevojë të bëjë gjëra ekstra, por të bëjë punën e tij në fushë. Nesër besoj se do të arrijmë të shprehemi mirë dhe të marrim maksimumin. Kam besim te skuadra dhe jemi të karikuar për të dhënë më të mirën.”

Në fund të konferencës, trajneri tregohet i kujdesshëm ndaj mbulesës së tavolinës që e pengoi disa muaj më parë, pasi duket se ngjarjen nuk e ka harruar.

Kombëtares do t’i mungojë portieri Etrit Berisha, i cili raportohet të jetë i dëmtuar. Titullar në portë do të jetë sërish Thomas Strakosha. Paraditen e kësaj të hëne kombëtarja nuk zhvilloi seancë stërvitore. Lojtarët dhe trajneri e shfrytëzuan këtë kohë për të biseduar. Tekniku madje u pa të diskutonte më gjatë me sulmuesin Cikalleshi.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT