Edy Reja beson ende se Shqipëria ka shanse të shkojë në finalet e Euro 2020. Fitorja me Moldavinë rriti besimin te trajneri i Kombëtares, i cili tregoi në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” se cila do të jetë ndeshja më e rëndësishme.

“Do ta provojmë, do të jetë e vështirë. Do të luajmë gjithçka në Turqi”.

Edy Reja sqaron për “Gazzetta dello Sport” sistemin e lojës që ka zgjedhur dhe se prioritet ka reshtimi në mbrojtje.

“E kam nisur me 3-5-2, me dy sulmues mes Sadiku, Cikalleshit, Balajt e Uzuni. Jam përpjekur ta bëj mbrojtjen më solide. Më të fortët? Janë ata të cilët luajnë në Itali, si Hysaj e Veseli”.

73-vjeçari Reja thotë se kishte patur më parë edhe ofertë nga një tjetër përfaqësuese dhe se donte ta mbyllte karrierën me një skuadër kombëtare.

“U lodha duke stërvitur skuadrat e klubeve, pas Atalantës refuzova disa propozime interesante si Udinese, Benevento e Verona. Doja ta mbyllja karrierën me një Kombëtare. Më parë isha shumë pranë Sllovenisë, po nuk u realizua. Kur më telefonoi Armand Duka, pranova menjëherë. Jam ende në formë, fizikisht jam mirë”.

Edy Reja firmosi deri në fund të kualifikueseve për të vendosur më pas nëse do të vijojë me Shqipërinë.

Tv Klan