Kandidati i pavarur për President, Blerim Reka, falenderoi të gjithë qytetarët që nënshkruan për ta përkrahur kandidaturën e tij. Në konferencën e parë për media të profesorit Reka, ishin të pranishëm edhe dy krerët e partive opozitare, Sela dhe Kasami, që edhe zyrtarisht ta shprehin përkrahjen e dy subjekteve që ata i udhëheqin, për zgjedhjet e ardhshme.  E profesori premtoi se do të punojë që ky shtet, të bëhet edhe republikë, sepse sipas tij, shteti ka qenë pronë private e presidentit të kaluar.

E sa i përket komenteve të partisë shqiptare në lidhur me kandidaturën e tij profesori Reka shkurt u përgjigj.

“Nuk komentoj deklarata të partive që nuk kanë kandidat për President.”

Të dy krerët e partive shqiptare që do ta përkrahin Rekën u pyetën edhe për takimet që patën me kryeministrin, në tentimin për të gjetur kandidat të përbashkët.  Kasami tha se ia ka propozuar edhe kryeministrit emrin e profesorit Blerim Reka, e kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se duke i pasur parasysh ndodhitë pasi Zaev u bë kryeministër, nuk mund të gjej asnjë arsyetim para përkrahësve të tij, për një takim të tillë.

“Unë e dëgjova deklaratën e tij ku thotë se takimi nuk ka ndodhur vetëm për shkak se u morën vesh kompetencat për arsim Komunës së Gostivarit.  Nëse unë do të merrja pjesë në takimin me të, unë e kam princip jetësor, kërkoj përgjigje.  Në pyetjen e përkrahësve të mi, në pyetjen e gazetarëve, se përse do të duhej përsëri ta përkrah zotin Zaev, unë nuk kam përgjigje.  Posaçërisht nëse e fton dikë për t’i ofruar kandidat ai duhet ta ketë të qartë se kur ta thërret dikë në bisedime, kryetar të opozitës, pyetja e parë themelore është; A ke kandidat? Unë nuk e pashë se ai ishte i gatshëm të dëgjojë emër nga ana jonë”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleances për Shqiptarët.

Profesori Reka, nuk i bëri publike detajet e fushatës për shkak se ligjërisht ende nuk ka filluar fushata, por premtoi një fushatë ndryshe nga tjerat.

Tv Klan