E ftuar këtë pasdite, në programin “Rudina”, në Tv Klan ishte ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo ka folur për librat dhe ka ndarë edhe 10 tituj librash që në një mënyrë ose tjetër kanë shkaktuar tek ajo emocion ose një histori të veçantë. Raportin me librat, Kumbaro e konsideron si një raport që shkon përtej letrës. Pasionin për leximin e ka nisur që në moshë shumë të vogël dhe për asnjë moment nuk e ka ndarë nga dora librin sepse në njëfarë mënyre, libri është jeta e saj.

Librin “Princi i vogël”, nga Antoine de Saint Exupery, Kumbaro e veçon si një libër që nuk e harron asnjëherë. Bëhet fjalë për një libër sa fantazi aq edhe realitet, që sipas saj është për të gjitha moshat sepse shërben si një lloj balsami për shpirtin.

Në 30 vitet e jetës sime si pedagoge, shtoni këtu po të doni dhe vitet e mia si ministre, në gjithë karrierën time edhe si njeriu i letrave, nëse ka një libër që nuk harroj asnjëherë ta përmend është “Princi i Vogël”. Është në fakt një libër edhe fantazi, edhe realitet. Them se është një libër për fëmijë nga 0 deri 95 vjeç sepse ka një filozofi kaq të thjeshtë, por njëkohësisht edhe kaq të thellë brenda, sa që është një lloj balsami për shpirtin, që do i bënte mirë edhe dikujt që është në një konflikt të madh pune, edhe dikujt që është në një dramë dashurie, edhe dikujt që është në kulmin dhe euforinë e jetës. Është një libër që lexohet shpejt dhe thjesht, që të vjen ti rikthehesh sepse me gjëra fare të thjeshta, në fakt të mban me këmbë në tokë, ndonëse e gjithë historia zhvillohet në një planet tjetër. Është libri më i përkthyer pas biblës”./tvklan.al