Izraeli rikthen karantinën kombëtare

Mbi 307 mijë raste infektimesh ditore kanë thyer një tjetër rekord botëror të shifrave të koronavirusit. Sipas OBSH-së rekordi i ri është regjistruar në bazë të shifrave të infektimeve të reja që vende të ndryshme të botës shënuan përgjatë 24-orëve të fundit, ku rekordin e mban sërish India me mbi 94 mijë infektime, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara e Brazili.

Shifra të larta shfaqën edhe shumë vende europiane si Franca, Spanja, Çekia etj. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se numri i viktimave pritet të shtohet në vjeshtë për shkak të shtimit aktual të ritmeve të infektimit.

Prej kësaj të hëne në Izrael është rikthyer karantina kombëtare, duke u bërë kështu vendi i parë në botë që e ndërmerr sërish këtë masë për shkak të shifrave të larta ditore të infektimit janë rreth 4 mijë.

Vendimi shkon përkundër tendencës për t’ju rikthyer jetës normale në kushtet e pandemisë, siç është edhe hapja e shkollave. Ekspertët kanë paralajmëruar se hapja e shkollave do të shtojë ritmet e përhapjes së pandemisë. Aktualisht numërohen mbi 929 mijë të vdekur mes 29.2 milionë të infektuarve.

Tv Klan